
TIRANË- Për herë të parë, bashkëpunëtori i drejtësisë, Artan Tafani ka nisur që të dëshmojë edhe në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në seancën e sotme, i riu nga Lushnja ka rrëfyer fillimisht jetën e tij. Rrëfimin e ka nisur nga fëmijëria ku zbuloi se në vitin 1997, i ishte vrarë i ati. Pas kësaj ngjarje, bashkë me nënën dhe motrën ishin zhvendosur në Greqi, ku edhe kishte krijuar edhe vetë familje. Por varësia nga droga e kishte përfshirë në botën e errët të krimit. Pasi u kap duke trafikuar drogë, Tafani zbuloi se erdhi në Shqipëri. Teksa në vitin 2015 bënte burg për një grabitje, tregon se në qeli kishte njohur për herë të parë edhe Leart Haxhiun.
"Para vitit 2015, para se te arrestohesha, kam qenë në Greqi me familje. Kam qenë i martuar, kam pasur një fëmijë. Jam kapur me drogë dhe jam kthyer në Shqipëri. Bëra një vjedhja për lekë se kam pas probleme. Kam bërë burg në Rrogozhinë dhe në Kosovë të Lushnjës. Kur ika në Greqi isha 15-16 vjeç. Kam qenë përdorues droge. Në vitin 1997 më kanë vrarë babain në Lushnjë, në Karbunar. Në atë kohë jetoja me nënën, motrën dhe babën. Në Lushnje merreshim me biznes familjar. Në Greqi kam bërë punë të ndryshme. Në 2006-ën erdha në Shqipëri, jam marrë me tregti me rroba, bojëra, etj.
Në 2015-ën rashë në burg për vjedhje, se vodha “Wester Union”. E bëra vetëm. Mora ca lekë i prisha dhe mbas 3-4 muajsh më kapën. Në paraburgim kam njohur më shumë lushnjarë, mbas ca kohësh Lulzim Arapi që kishte bërë një plagosje, se Laert Haxhiu kishte plagos nipin e Aldo Bares dhe me të njëjtën armë është gjetur te stani i babit të Laertit. Kemi pas dhomën ngjitur se ishim shumë lushnjar. Mbas Lulzimit ka ardhur dhe Qamil Haxhiu, se iu gjet një armë te stani. Pasi kam dalë nga burgu jam takuar rastësisht me Laertin te karburanti i Sajmir Taullaut. Më çon fjalë se do të të takoj Lulzimi se do të më takojë. Kisha probleme ekonomike për të punuar me mall. U takova me Lulzim Arapin, Ligor Romaçkan dhe Laert Haxhiun. Anterio Kaloshin e kam pas në Rrogozhinë, Dorjan Shurdhin,"-rrëfen Tafani.
Por nuk e la me kaq!
Tafani rrëfeu se bashkëpunimi i tij me Laert Haxhiun nisi pas një takimi në Dajt.
“Për Laertin kisha dëgjuar vetëm në TV nëpër lajme, u nisëm për në Dajt. U ulëm tek një restorant. Laerti më mori jashtë, tha "hajde flasim pak jashtë". Atë natë ndenjëm atje në Dajt morëm një tip suite. Unë u tremba në fakt se thashë "pse më morën mua këta?", kur pashë Laert Haxhiun, më tha "do të bëjmë ndonjë punë?". Më tha "do të ndihmoj unë më ndonjë mall, por punë kështu transporti, punë të jashtëligjshme". Ai mesa duket e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen Laerti dhe Ligori ikën për në Korçë. Unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin dhe ikëm në Lushnjë. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, 500 të tjera mi dhanë mbas nja 2-3 ditësh,”- tha Tafani.
Ai tregon se më pas, i kërkuan që t’i vendosë tritol një personi që nuk u kishte dhënë lekët në Lushnjë për t’i bërë presion.
“Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnjë, pasi i kishin dhënë mall njërit dhe ky si kishte dhënë lekët, donin t’ia bënin në formë presioni. I thashë dakord, çfarë ti thoja? Që nga dita e parë që i takova kishte një lloj presioni mbi mua s'di si t'ua shpjegoj. Rrugës kur zbritëm Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. Unë e kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit, nisem për Lushnje me vendos tritolin. Planin e bëmë me Laertin. Ishte si një provë për të parë a e bëja dot punën. E ndeza fitilin dhe u largova në këmbë, kalova nga shinat e trenit,”- tha ai.
Gjatë dëshmisë ka treguar edhe mënyra se si komunikonte me drejtuesin e bandës së Lushnjes, duke përmendur një sistem të koduar mesazhesh, të quajtur "chat-mail", u cili kushtonte 600 euro në muaj.
“Folëm gjithmonë në chat-mail, një sistem i enkriptuar që ma dha vetë Laerti. E përdornim vetëm për punë, dhe e mbushnim çdo muaj në ‘Bllok’, 600 euro kushtonte,”- deklaroi Tafani para trupës gjykuese.
Duke qenë se "detyrën e parë" e kishte kaluar me sukses, Haxhiu e kishte kontaktuar edhe për të tjera. Por detyra e radhës ishte shumë më e rëndë, pasi kishte të bënte me vrasje me pagesë.
“Në një tjetër udhëtim, shkuam në Pogradec, unë, Laerti dhe Ligori. Në një moment, Laerti më thirri jashtë dhe më pyeti çfarë dija të bëja. I thashë që isha marrë me mall dhe njëherë kisha bërë vjedhje me dhunë, por nuk besoja se më donte për vrasje, ai vetë i bënte këto gjëra, thosha. Më thanë do bësh një punë për një njeri tonin në Tepelenë. Më përmendën vetëm më pas emrin e Çajup Selimit. U shtanga atë natë,”- tha Tafani, duke shtuar se urdhri i vrasjes do zbatohej nga ai dhe Ligori, për një shumë totale prej 50 mijë euro, nga të cilat secili do përfitonte nga 25 mijë.
“I thashë: ‘Po ju e dini?’… U ndjeva i bllokuar, të gjithë i rrinin pinc Laertit,”-theksoi bashkëpunëtori i drejtësisë.
Bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani, në një rrëfim të gjatë më pas tregoi me detaje sesi e kreu vrasjen e Selim Çajupit. Ai rrëfeu se ndodhej në Vlorë me familjen, kur Lulzim Arapi e kontaktoi urgjentisht duke i kërkuar të nisej menjëherë drejt Lushnjës. Nga aty, ishin nisur në Sarandë, ku ishte takuar me Laertin, për të cilin shtoi se ishte shoqëruar nga disa vajza.
“Më merr Lulzimi, po kthehesha në Fier nga Vlora. Tha nxito për në Lushnje. E takoj në Lushnje. Nxitojmë më thotë, se na pret një shok, se për ça na donte në Elbasan. Iki vetë i them nëse duhet, ça do bësh ti. Tre herë kam ikur në atë vend, dy herë më kanë marrë çunat. Emrin e mësova në lajme pasi u krye puna. Laerti më tha se do bëhej ajo puna në Tepelenë. Erdhi e dashura e Laertit me gjithë shoqen e vet, do shkoja unë me Ligorin të nesërmen. Merrnim makinën e gocave që Ligori të më tregonte ku ishte kush ishte si ishte. Mua mi thonin në momentin e fundit. Unë dija se po iknim me pushime, përfundonim në vrasje. Nderi do i bëhej mikut të Laertit që jetonte Greqi. Viktima kishte një dyqan. Ma tregon Ligori nga larg që ky është. Vajtëm deri te shpia larg më tregoi rrugën dhe shtëpinë e Çajup Selimit. U kthyem prap në Sarandë, takojmë Laertin, gocat marrin makinën. Pastaj, më thanë të nxitoja se po na kërkonte ‘shoku’ për Laertin, por asnjëri nuk e përmendte me emër. Hodha naftë në emër të Lulzimit tek karburanti i Taullahut dhe u nisa për Elbasan. I ramë nga Qafa. Kur mbërritëm, pamë viktimën tek dyqani. Më tha Ligori: Ky është!. Më pas, më tregoi shtëpinë e tij dhe rrugën nga mund të binte në këmbë. Ne u nisëm me Lan (Ligorin) në një rrugë që del mu te lagja atij. Ligori shkoi ta ruante shënjestrën, unë ndenja në lagje. Për këtë rast folëm në Signal, kishim blerë cel të ri. Po flisja që të dija kur do nisej ai, kur do mbyllte dyqanin. Si përfundim më thotë: ‘Iku ai, e mbylli dyqanin’. Si duket Ligorit i kishte shpëtuar, dhe më tha: ‘Po vij lart’. Unë u afrova afër pallatit.”
Pasi kreu vrasjen, tregon edhe momentet e panikut.
“Pasi shkova te pallati, po rrija ngjitur me hyrjen dhe dëgjova një makinë si Benz-i që kishte ai. Isha ballë për ballë me të, kisha maskë kovidi edhe një kapele. Po më shikonte dhe pati si dyshim. U fut në hyrje të pallatit, ai u ngjit kat i parë, kat i dytë. Unë isha nga mbrapa tij. Ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë – të kuqe. Aty e qëllova nga mbrapa. Tri herë e shkrepa, e qëllova. Një herë në shpatull dhe dy herë të tjera, por s’e di ku e kapi. Ika me vrap për nga burgu i Bënçës. Rashë në ca ferra aty, si jashtë qytetit. Armën e kisha me vete, Zastava, ose Beretta e vogël, me silenciator. S’po gjeja rrugicën që të dilja. Sipas planit duhej të dilja te lumi Vjosë, ku do vinte Ligori. Ligorin e takova mas 1–2 orësh te shtëpia e xhaxhait të Erisianit. Sipas planit që kishim bërë me Laertin, do na priste xhaxhai i Erisianit. Ligori fiku celin. Unë u fsheha në një shkëmb, kisha frikë. Makinat e policisë vinin vërdallë. Unë e kisha për herë të parë,”- deklaroi Tafani në sallën e GJKKO-së.
Po ashtu, sipas tij, Laert Haxhiu u zemërua me mënyrën se si u menaxhua faza pas vrasjes, duke akuzuar Ligorin se kishte lënë atë në rrezik.
“Laerti u acarua me Ligorin. Më tha mua: ‘Si të la ai vetëm? Ia tregoj unë atij’. Laerti na kishte thënë si të vepronim me armët, rrobat, telefonat. Arma përfundoi në Vjosë, rrobat i dogjëm në një fuçi,”- tha ai.
Më pas, tregoi pas shkatërrimit të provave, se kishin dalë nga Memaliaj, duke zbritur më pas në një urë ku hipën në një furgon të rastësishëm për t’u larguar pa rënë në sy. Pagesa për vrasjen ishte 25 mijë euro për secilin, por mesa duket vetëm ai i kishte marrë paratë.
“Laerti nuk ia dha lekët Ligorit. Nuk i fali asgjë.”
I pyetur nga prokurori i SPAK, Behar Dibra, rreth arsyes së ekzekutimit të biznesmenit, Artan Tafani u shpreh se: Mora vesh nga Laerti se u vra pasi Erisiano Abedini kishte pas probleme dhe konflikte me të. Kishin pas sherr sepse Çajupi kishte ngacmuar nënën e Erisianos. Duke qenë se Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili kishin rënë në burg Laert Haxhiu kishte nevojë për njerëz e për mua. Mbas vrasjes së Çajupit shkova në Greqi dhe takova Laertin dhe Mario Dijamantin e Xhino Bajramin në një vilë ku ishin me të dashurat.
Pas kësaj ngjarjeje, tregoi për vrasjen e Fridman Xhaferajt, i cili u ekzekutua në qytetin e Korçës. Tafani tregon se trupin e tij e kishin në makinë dhe rrugës Laert Haxiu kërkonte vende për ta hedhur.
Tafani: Ligori mori në telefon Laertin dhe i tha se Klisman Xhaferri kishte folur në celular me dikë për punë malli. Menjëherë, sapo ishim në hotel, na tha Laerti: “Çohuni, do ikim në Korçë ta vrasim.” Kur u nisëm për në Korçë, unë, Laerti dhe Lulzimi, ky i fundit mori një pistoletë nga një garazh ku ata mbanin armët, si edhe një makinë me portobagazh. Ndaluam në Pogradec, ku takuam Bledar Berberin dhe Mariglen Topuzin, dhe i morëm në makinë. Gjatë rrugës, Laerti kërkonte një vend ku mund të hidhte trupin. Edhe Bledari kishte “chat” dhe email. Pamë një rezervuar. Gjatë rrugës bënin edhe shaka; Marigleni i thoshte Laertit: “O lala, ma lër ta bëj unë, të mësoj dorën.” Për çdo gjë që ndodhte, Bledar Berberi e merrte vesh. Ata e dinin që unë sapo kisha bërë vrasjen në Tepelenë. Unë isha i mpirë, pa ndjenja. Ne vijuam për në Korçë. Në një rezervuar që shkuam, Laerti nuk e pëlqeu vendin, ja rekomanduan Bledar Berberi dhe Mariglen Topuzi. U nisëm për te rezervuari i Gjanqshit, na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu. Lulzimin e lamë aty, shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine. E morëm Fridmanin në makinë, po s’i thamë gjë ku do shkonim. I thamë: “Do paketojmë hashash.” Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: “Po qysh ishte ai muhabeti që ke thënë ‘do flas po s’më nxorët nga burgu’?” Ai tha: “Jo”, qante i shkreti. Lutej: “O Marius,” më thoshte, “thuaj të më falë.” Gjuajti njëherë Lulzimi me e kap në kokë. Ai luajti kokën. Pastaj Laerti i tha Lulzimit: “Vrite.” I gjuajti mbrapa kokës. Po ai lëvizte akoma, merrte frymë akoma. Pastaj i ramë me atë gomën. E lidhën me litar dhe e futën në rezervuar. E lidhën trupin edhe me gomë që ta fundoste në ujë. Njëherë e nxori në sipërfaqe, pastaj e lidhëm me gurë dhe e hodhën brenda.
Gjatë dëshmisë së tij prej 11 orësh, i penduari i drejtësisë Arben Tafani rrëfeu edhe episodin e vrasjes së kushëririt të tij avokatin Adriatik Guri. Sipas të akuzuarit, avokatin donte ta vriste Laert Haxhiu, pasi sipas tij, ai ndihmonte armikun.
Tafani: Mora shpi me qira në Lushnjë, do vrisnim avokatin Adriatik Guri, e ruaja unë avokatin, ndërkohë unë e kam kushëri, donte ta vriste Laerti se sipas Laertit ky ndihmonte hasmin e tij, këta njëkohësisht kishin kamerat e policisë, kishin kodin, këta më ruanin edhe mua, Lulzim Arapi erdhi tek shtëpia solli një pistoletë tip CZ me dy siliencatorë, vazhdonim ruanim avokatin, u rrija aty te lokali ku vinte dhe avokati dhe un i thashë se bëj dot se e kam kushëri, e lamë do e bënte Lulzimi, një natë na iku ai, unë i përfshiva nga frika, jo për lek, tha ai do bëhet (Laerti). Më herët isha dhe me Lulzimin dhe Laertin njëherë në fshatin Gjocaj për të parë vendin, prapë me makinë me qira, i merrja me një patentë false. Kishim një garazh në Astir te Erisiano Abedinit që mbanim një Audi për punë, vrasje dmth, e morëm atë morëm dhe një Benz me targa greke dhe ikëm me dy makina. Benzin e parkum në Rrogozhinë, Audin do e digjnim pas vrasjes, shkuam me Lulzimin me armë me vete, një TT ja blemë Bledar Berberit 1 milionë lekë, shkuam tek lokali ku ishte ky, ishte herët ora 4;30 e mëngjesit, erdhi viktima nga ora 8, e kishim lënë si do vepronim, i gjuajta 2 plumba ne gjoks 4 në kurriz, Audi jonë nuk ndezi dhe u detyruam e dogjëm në vend, nga vendngjarja u larguam me makinën e viktimës me të cilën shkuam deri në Rrogozhinë ku e braktisëm dhe morëm makinën tonë tjetër.
Artan Tafani, tashmë i kthyer në të penduar të drejtësisë ka zbardhur gjashtë vrasje të ndodhura në kohë të ndryshme në vend dhe Greqi. Ai ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë. Por pas kapjes nga Policia vitin e shkuar, tregoi dhe zbardhi disa ngjarje kriminale, tek të cilat kishte marrë pjesë edhe vetë si anëtari i grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë./ZËRI