
CAMDEN- Një shqiptar u akuzua për mashtrim, pasi u zbulua nga agjentët federalë se ishte martuar për të përfituar letrat amerikane. Si shqiptari, edhe gruaja e tij (shtetase amerikane), u akuzuan të dy për dhënien e deklaratave të rreme në formularët e paraqitur në Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së.
Akuzat kundër Elvis Harizajt, 25 vjeç, nga Cherry Hill, dhe Natasha Flores, 27 vjeç, nga Newark, u njoftuan më 28 maj nga Gjykata e Qarkut të SHBA-së për Qarkun e New Jersey-t në Camden.
“Ky çift dyshohet se ka minuar integritetin e ligjeve tona të imigracionit në SHBA duke lidhur një martesë të rreme me qëllim marrjen e statusit ligjor për të qëndruar në vendin tonë. Këto akuza duhet të shërbejnë si një paralajmërim për të tjerët se mashtrimi me martrsat është një krim federal dhe ne do të hetojmë dhe ndjekim penalisht ata që përpiqen të anashkalojnë rrugët ligjore të vendit tonë për të marrë leje qëndrimi,”- tha Agjenti Special i Përgjegjshëm i HSI-së, Ricky J. Patel.
Në formularët e paraqitur në USCIS, Harizaj deklaroi se jetonte me Flores, ndërsa kjo e fundit u shpreh se nuk kishte qenë kurrë e martuar më parë. Në fakt, Flores ishte martuar me një shtetas brazilian, i cili mori shtetësinë amerikane pas lidhjes së kurorës. Akuzat për deklarime të rreme dhe mashtrim kanë një dënim maksimal prej pesë vjetësh burgim dhe gjobë prej 250,000 dollarësh. Të dy janë tashmë nën akuzë, ndërsa 25-vjeçari shqiptar e ka pranuar skemën./ZËRI