TIRANË- 19 ton mish pule me salmonelë janë importuar nga Brazili në vendin tonë. Pasi sasia e mishit është importuar në Shqipëri dhe është hedhur në treg pa e pritur rezultatin e analizuave. Sipas artikullit të publikuar nga "OraNews", me hyrjen e sasisë së mishit në treg u kryen dy shkelje.
E para ka lidhje me laboratorin nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë ka nxjerrë përgjigjen e analizave me 5 ditë vonesë, ndërsa nga ana tjetër Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që duhet të mbante mishin e bllokuar, e ka nxjerrë në treg. Nga 19 mijë kilogramë mish është bllokuar vetëm 4000 kg. E gjithë pjesa tjetër është shitur në supermarkete dhe në restorante; pra rrjedhimisht edhe është konsumuar nga qytetarët.
"AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu. Inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Sot, kur lajmi është bërë publik, ka pasur një sqarim nga ana e AKU-së. Sipas tyre, pasi analizat kanë dalë më 21 mars, AKU ka ndërhyrë për të hequr produktin me salmonelë nga tregu. Edhe pse nuk e bëjnë me dije emrin e subjektit që ka importuar mishin, pretendojnë se lidhur me rastin kanë dorëzuar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për dy vepra penale: mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
"Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës. Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë,"-bën me dije AKU, por pa zbuluar as sa sasi me mish është konsumuar dhe as sa kanë mundur që të sekuestrojnë dhe ta heqin nga tregu.
Por edhe pse ka dalë me një njoftim zyrtar, AKU nuk i përgjigjet pyetjeve se kur ka hyrë ngarkesa në Shqipëri.
Njoftimi i plotë i AKU-së:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar disa ditë më parë gjatë kontrolleve të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit. Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës. Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Edhe pse AKU nuk e bën me dije emrin e kompanisë, është mësuar se bëhet fjalë për kompaninë "diMal", e cila furnizon të paktën 4 rrjete supermarketesh në vend.
Ndwrkohw burime konfirmojnë se për hetimin e këtij rasti është caktuar, me short, prokurori Platin Aliçka, i cili pritet që brenda 15 ditësh të regjistrojë procedimin penal.
Çfarë shkakton salmonela?
Infeksioni i salmonelës (salmoneloza) është një sëmundje e zakonshme bakteriale që prek traktin e zorrëve. Bakteret e salmonelës zakonisht jetojnë në zorrët e kafshëve dhe njerëzve dhe derdhen përmes jashtëqitjes (feces). Njerëzit mund të marrin infeksion nga Salmonela nga një sërë burimesh, duke përfshirë: Ngrënia e ushqimit të kontaminuar ose pirja e ujit të kontaminuar; Prekja e kafshëve të infektuara, feçeve të tyre ose mjedisit të tyre.
Disa njerëz me infeksion të salmonelës nuk kanë simptoma. Shumica e njerëzve zhvillojnë diarre, ethe dhe ngërçe në stomak (bark) brenda 8 deri në 72 orë pas ekspozimit. Shumica e njerëzve të shëndetshëm shërohen brenda disa ditësh deri në një javë pa trajtim specifik./ZËRI