
TIRANË- Gjykata e Posaçme ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen kundrejt deputetit democrat Asllan Dogjani, i cili është nën akuzë për mosdeklarim dhe fshehje pasurie. Gjatë seancës së mbajtur sot, Gjykata i ka lënë kohë një muaj prokurorisë që të kryejë veprime shtesë.
Vetë Dogjani e përsëriti këtë përpara mediave, pasi doli nga Gjykata, por më shumë u fokusua tek zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se vendimi i gjykatës që u dha sot është një shenjë më shumë që çështja e nisur ndaj tij ka si urdhërues kryeministrin Edi Rama. Ndërsa zgjedhjet e 11 majit tha se nuk i kanë fituar dot pasi përballë kanë pasur një bandë dhe jo një parti politike.
Asllan Dogjani: Ju kam thënë që pavarësisht përpjekjeve të Edi Ramës, nuk dorëzohem asnjëherë. Nuk dorëzohem as para vjedhjeve të këtyre zgjedhjeve. Edhe Rama po të ishte në këto kushte, nuk do të fitonte. Jam përballur në Kamëz, ishte një organizim i vjedhjes së mirëfilltë të votave. Natyrisht duhet përgëzuar Rama për këtë fitore, skema ka ndryshuar, por jo thelbi. Grupet kriminale ishin përballë me ne. Ramës i foli situata nga kontrolli sepse duke menduar se nuk do të vinte në pushtet, vodhi shumë. Unë jam deputet i popullit, jam i atyre që më kanë votuar dhe do të bëj gjithçka për ta. Rama ka bërë marrëveshje të fshehta me ndërkombëtarët.
Dalëngadalë çështja ime po del qartë që është iniciuar nga Rama. Prokuroria erdhi sot, prezantoi 1-2 detyra, më pas erdhi gjykata dhe i tha, do bësh edhe këto gjërat e tjera. U kthye, do kryhen veprime të tjera. Do t’i merrni vesh nga gjykata.
Pyetje: A duhet të mbajë përgjegjësi Berisha për humbjen e zgjedhjeve?
Asllan Dogjani: Do të mbajë përgjegjësi Rama që i ka vjedhur votat.