TIRANË- Erion Alibej ka vijuar dëshminë për dosjen “Plumbi i artë” ditën e sotme në GJKKO, si bashkëpunëtor i SPAK në zbërthimin e një serie ngjarjesh kriminale dhe trafikut të drogës. Alibej deklaroi se "intrigat nisën në Shqipëri" gjatë vitit 2018, kur edhe i vëllai i tij, Endrit Alibej u vra në atentatin në Bradashesh, bashkë me xhaxhanë, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay.
Alibej rrëfeu vështirësitë e para, emigrimin në Angli te xhaxhai, Arben Dylgjeri, punën me drogë për të larë borxhin e vëllait, Endritit, ngritjen e punës dhe aktiviteti që bënin vëllezërit Çopja. Në dëshminë e tij, ai rrëfen se kujdesej për nënën që ishte e sëmurë dhe në Itali shkoi për të marrë ilaçe, por u arrestua. Pasi u lirua në 2012 shkoi të i vëllai, i cili ndodhej në Holandë. Në atë kohë, Alibej deklaron se edhe Hajdar Çopja jetonte në Holandë dhe ua çonte drogën shpërndarësve në Gjermani me kuaj.
Erion Alibej: Vij nga një familje ku babai na la të vegjël pasi ndërroi jetë. Jemi një familje e respektuar në qytet. Ishte vëllai ai që emigroi i pari në Greqi, pastaj në Itali. Nga viti 2006 deri në vitin 2018 është marrë me punë të paligjshme, trafik droge. Unë nuk u përziva, u kujdesesha për familjen sepse kisha nënën e sëmurë. Endriti është marrë vetëm me drogë. Në vitin 2009 shkoi në Holandë. Vëllai im ishte dy vjet më i madh. Ditën që i shkova në shtëpi, aty gjeta edhe Hajdar Çopjen. E njihnim si elbasanlli. I them Endritit, po ky. Sa ka ardhur, më tha, do e ndihmoj sa të gjejë një shtëpi. Unë, në vitin 2010, shkova në Itali për të marrë ilaçe për dy javë. Gjatë kësaj kohe, Italia po e kërkonte Endritin. Ditën e fundit që do të kthehesha, më arrestoi policia dhe u dënova me 3 vite e 4 muaj, sikur isha pjesëtar i grupit, edhe pse nuk kisha asnjë lidhje. Pasi u lirova në vitin 2012, Endriti ishte sërish në Holandë dhe më dërgoi një vajzë që më mori. Shkova me kamion, në fillim të 2016, te familja e xhaxhit tim, qe jetonte prej shume vitesh aty. Ata nuk dinin asgjë, kisha mundësi të shisja kokainë, por nuk kisha mundësi të gjeja shtëpi. Asokohe Hajdar Çopja jetonte në Holandë dhe ua çonte drogën shpërndarësve në Gjermani me kuaj. Endriti kishte shumë lidhje edhe në shtetin holandez. Të gjithë donin të punonin me të. Kam pasur shoqëri me Suel Çelën, ndërsa Hajdar Çopën e njihja familjarisht. Elbasani është i vogël, njihemi që fëmijë. Ne s’kemi pasur probleme, as i kemi hyrë në hak dikujt vetëm na kanë pasur borxhe.
Po ashtu, Alibej tregon edhe momentet në ceremoninë mortore, kur në shtëpi i erdhën pjesëtarë të fisit Çapja.
Alibej: Shtetasi turk ka qenë edhe më herët në Shqipëri. Kur vajza ime mbushi 1 vjeç, ishte mik i ngushtë i yni për shkak të marrëdhënieve të punës me Endritin. Mbrëmjen e masakrës, Endriti ishte në Tiranë me disa miq, pastaj u nis për Peqin, te dajat e mi, ku ishin mbledhur. Teksa unë po çoja ca dhurata për fundvit te një mik yni noter, i ra telefoni Besmir Lalës. Dëgjova që ishte nusja ime, se unë nuk mbaja telefon pasi isha në kërkim. I thashë “ça ka?”, ndërkohë aty erdhi një X6 e bardhë që e dija që ishte e Mikael Qosjes, që ja kishte bërë dhuratë Franc Çopja. E di që e kanë ndërruar në kokainë. Besmiri më tha: “Shpejt se i kanë gjujt Endritit.” Mikaeli ishte me Ervis Çopjan në makinë. Mu afrua me makinë. I thashë: “A ke heker për armë?” Më tha: “Jo, pse, çfarë ka ndodh?” Mbylla xhamin, ika në vendngjarje.
Nusja e vëllait tim, shtetasja rumune, ishte në muajin e fundit të shtatzënisë. Ishte gëzim i madh për ne. U nisën me 2 makina: gratë veç, Endriti, shtetasi turk dhe xhaxhai në një makinë. Isha i pari në vendngjarje. S’kishte njeri, as polici. E çuditshme, aty rri gjithmonë një patrullë policie – edhe tani, po të kalosh, ka aty patrullë. Gjeta nënën, tezen, motrën, kalamajt që ulërinin. Ishte një skenë që nuk e përshkruaj dot. Kapa Endritin, mu duk i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë. Erdhi një furgon policie dhe ambulanca, por ndërroi jetë në spital. Sapo shkova në shtëpi, po vinin shumë njerëz – miq, shokë. Shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja – Florenci dhe disa të tjerë. Dola veç, i ngjova me Bledar Muçën dhe Florenc Çapjan. Bledari më tha: “I pata thënë Endritit të bënte kujdes, por s’më dëgjoi.” I thashë: “Nga kush?” Më tha: “Vetëm Suel Çela bën këto masakra.” Bled Muça kishte pirë alkool. I thashë: “Flasim në një moment tjetër”, por më thanë: “Na ke në krah.” Ashtu i interesonte. Po më vinin informacione pa fund – “jo ta ka bërë Kamer Mehja, jo Suel Çela”, sidomos për Suelin. Nga ajo që mendoja dhe analizoja, problemi im ishte me Xhoni Rusten. Edhe pse më vinin fjalë edhe për vëllezërit Çopja, prapë s’i besoja. Më ka ardhur dhe familja e Suelit, ushtarë të tyre, ndër ta dhe “Nino”. Bisedova edhe me Suelin dhe më tha: “Rri i qetë se do dali e vërteta, shyqyr që s’ke qenë dhe ti në makinë.” I thashë: “Po kush ka gjujt?”
Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Më vijnë policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte te Krimet e Rënda. Më thanë: “Hajde të deklarosh dhe do të të lirojmë, që të jesh afër familjes.” Shkova – ishte Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, që e dija që ishte i shitur te Suel Çela. I thashë: “Nuk e dua këtë këtu.” E nxorën jashtë. Më thanë: “E dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion, për kë dyshon?” I thashë: “Do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektivin. Nuk di ku t’ju drejtoj.” Siç ma dhanë fjalën që do përcillja familjarët në banesë, më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë: “Bën mirë të ikësh nga ky qytet.”
Nga hetimet e SPAK rezulton se autorët të masakrës së Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay, është kryer nga Franc Gargely alias Franc Çopja, në rolin e financuesit dhe porositësit. Mikael Qosja alias Kel Kamami dyshohet të ketë patur rolin e organizatorit në ngjarje, ndërsa Talo Çela ka patur rolin e organizatorit të grupit të tij të vrasësve me pagesë dhe ka qenë shofer i automjetit në momentin e krimit./ZËRI