Aktualitet

Bashkia e Korçës ndjek si model Fierin dhe Durrësin, kryetari i rrit pagën vetes me 73%, por jo stafit

Një rritje të madhe kanë kanë përfituar edhe nënkryetarët të cilët do paguhen çdo muaj 205 mijë lekë, ose 41% më shumë sa viti i kaluar.

I.F
Bashkia e Korçës ndjek si model Fierin dhe Durrësin, kryetari i
Sotiraq Filo

KORÇË- Pas bashkive të Fierit dhe Durrësit, edhe ajo e Korçës ka rritur pagat për të dytin vit. Kryebashkiaku Sotiraq Filo ia ka rritur rrogën vetes këtë vit me 53% duke shkuar me 260 mijë lekë në muaj. Për dy vite kryebashkiaku i Korçës ka rritur pagën e tij me 73%. Një rritje të madhe kanë kanë përfituar edhe nënkryetarët të cilët do paguhen çdo muaj 205 mijë lekë, ose 41% më shumë sa viti i kaluar.

Paga e drejtorit të përgjithshëm është rritur maksimalisht me 86%, ndërsa për drejtorët e drejtorive u rrit me 75% më shumë se një vit më parë, përgjegjësit e sektorëve do të marrin 43% pagë më të lartë, ndërkohë që administratorët e rajoneve dhe administratorët e njësive do të paguhen po ashtu më shumë, me 41%, dhe 22% rritje page. Ndërsa për stafin ka një rritje prej vetëm 8%. Pagat e reja kanë kaluar për miratim në këshillin bashkiak ndërsa përfaqësuesit kanë shpjeguar pse e caktun këtë rritje rroge.

“Projektvendimi ka pasur për qëllim rritjen e pagave të drejtuesve të cilat ishin në masën rreth 53% ndërkohë që për masën tjetër të punonjësve të administratës ka pasur rritje rreth 4000 lekë që përkthehet në rreth 8%. Pra rritja nuk ishte proporcionale, nuk ishte e studiuar dhe nuk kishte qëllim rritjen e pagave për shkak të mirëqenies apo trajtimit të punonjësve por është një rritje selektive vetëm për interesat e tyre dhe për interesa të mëdha të cilat do të përdoren për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme që do të vijnë pas 6 muajsh. Pagat që janë rritur është paga e kryetarit të bashkisë, nënkryetarëve të bashkisë dhe disa drejtorë drejtorish ndërkohë që masa e administratës ka një rritje prej 4 mijë lekësh ose 8 %. Ne kemi abstenuar për t’ju dhënë mesazhin e qartë që ne nuk jemi pro rritjes në këtë formë sepse si të votosh kundër si të abstenosh mesazhi është i njëjti”, tha Elvin Bregu, këshilltar i grupimit Demokratët Euroatlantikë.

Rritja e pagave u miratua me 27 vota pro, 2 abstenime dhe asnjë votë kundër, as nga opozita. Në mbledhje morën pjesë vetëm 29 këshilltarë bashkiakë nga 41 që janë në total, të cilët po ashtu përfitojnë nga rritja e pagave pasi për punën e tyre në këshill paguhen sa 10% i rrogës së kryetarit të bashkisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB