Aktualitet

Zjarri "pushton" Parkun Kombëtar të Lurës, procedohen penalisht shefi i monitorimit dhe 2 roje

Sipas policisë, nga hetimet e kryera dyshohet se tre personat, të ngarkuar me detyra për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri, nuk kanë marrë masat e nevojshme në zonat nën përgjegjësinë e tyre.

zh.ll
Zjarri "pushton" Parkun Kombëtar të Lurës, procedohen
zjarri ne lure

DIBËR- Situata në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër mbetet problematike, pas përhapjes së flakëve në 3 drejtime të ndryshime. Zjarri ka përfshirë kurorën e Lurës nga Borje Lura, majën e Runjës, Livadhet e Stafës dhe po del në Lanë Lurë.

Ndërkohë, Policia e Dibrës ka nisur procedimin penal ndaj shefit të monitorimit të parkut dhe dy rojeve të mjedisit, të dyshuar për shpërdorim detyre.

Sipas policisë, nga hetimet e kryera dyshohet se tre personat, të ngarkuar me detyra për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e territorit nga zjarri, nuk kanë marrë masat e nevojshme në zonat nën përgjegjësinë e tyre.

Njoftimi i Policisë:

Lurë, Dibër/Vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit e ngarkuar me përgjegjësi në lidhje me zjarrin në parkun kombëtar të Lurës.

Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, shefi i monitorimit të parkut dhe 2 roje mjedisi.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për dokumentimin e rrethanave të zjarrit në parkun kombëtar të Lurës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit K. S., 35 vjeç, S. L., 51 vjeç, të dy banues në Dibër, dhe A. L., 64 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, me detyra përkatëse Shef monitorimi i parkut kombëtar dhe Roje mjedisi, nuk kanë marrë masat e nevojshme për ruajtjen, mbikëqyrjen dhe mbrojtjen nga zjarri të territorit në përgjegjësinë e tyre. Si pasojë, janë djegur disa hektarë sipërfaqe pyjore.

Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme.

Zjarri që po përhapet në 3 drejtime rrezikon disa banesa në zonë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes bëri me dije se ka një perimetër sigure. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet. Ndërkohë, tashmë prej disa ditësh zjarri i përmasave të mëdha ka djegur mbi 300 hektarë pyje me bredh dhe kullota./ZËRI

Poll

MOS HUMB