TIRANË- Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit Tiranë ka bllokuar disa produkte të firmës "Tona alb shpk". Bëhet fjalë për 5 ton djathë Gouda dhe 944 kilogramë fileto pule. Masa e bllokimit për këto produkte është marrë sot, ndërsa bëhet me dije se ka për shkak të mos pajisjes me kundra etiketë në gjuhën shqipe. Por, kjo masë nuk është vetmja. Për shkak të veprimeve në kundërshtim me kërkesat e etiketimit dhe të gjurmueshmërisë, subjekti është gjobitur me një masë administrative gjobë, shuma e së cilës nuk është bërë ende e ditur.
Njoftimi i AKU:
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në vijim të transparencës dhe informimit të publikut në zbatim të legjislacionit në fuqi, bën me dije se në kuadër të kontrolleve të ushtruara, Drejtoria Rajonale e AKU-së, Tiranë, ka konstatuar shkelje të kërkesave ligjore për etiketimin dhe gjurmueshmërinë në një subjekt me aktivitet ushqimor.
Gjatë kontrollit zyrtar, trupa inspektuese ka bllokuar një sasi prej 5 (pesë) ton djathë “Gouda” dhe 944 (nëntëqind e dyzet e katër) kg “Fileto pule”, të cilat rezultuan me mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.
Informojmë se për shkeljet e konstatuara, ndaj subjektit është marrë masa administrative “Gjobë” në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe është kryer bllokimi i produkteve deri në rregullimin e dokumentacionit dhe elementeve të etiketimit sipas standardeve të kërkuara.
AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre.
Kjo është lëvizja e radhës e AKU sa i përket bllokimit të produkteve, pasi në fillim të këtij muaji bllokoi dy ngarkesa me misër që vinin nga Serbia, pasi rezultuan me Aflatoksinë B1. Gjithashtu, 25 ton misër po nga Serbia u bllokuan edhe në muajin nëntor. Raste të tjera të shumta kanë ndodhur për arsye të ndryshme, prezenca e pesticideve në produkte, tregtimi i bulmetit pa fatura apo dhe mishi i pulës pa salmonelë./ZËRI