TIRANË- Shoqatat e pushtetit vendor dhe të zgjedhurit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm kanë kërkuar më shumë para nga buxheti për të përballuar emergjencat. Në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ata ngritën shqetësimin e shqetësimi e shlyerjes së borxheve të trashëguara nga reforma territoriale dhe shtim i fondeve për emergjencat.
Për vitin 2026, transferta e pakushtëzuar që shkon për bashkitë arrin në vlerën 47.3 miliardë lekë, ose 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por, shoqatat dhe bashkitë kërkojnë që fondet të rriten pasi limiti është që të jetë 1% e PBB-së, pasi ato janë të pamjaftueshme për të përballuar të gjitha zhvillimet klimatike apo edhe për të rritur investimet në territor.
Kreu i bashkisë së Sarandës tha se fondet që meren nga buxheti qëndror nuk mjaftojnë pasi po përballen me më shumë emergjenca si zjarre e përmbytje. Çaçai kërkoi fonde shtesë për bashkitë për të përballuar emergjencat.
"Vitet e fundit emergjencat civile janë shumë të rëndësishme të paktën te ato bashki që ne drejtojmë në këtë vend. Kjo vjen si efekt i ndryshimeve klimatike, kemi prezencë të shtuar të zjarreve por dhe të përmbytjeve së fundmi, kështu që kërkojmë vëmendjen tuaj për të shtuar buxhetin, sigurisht për emergjencat civile”, tha Oltion Çaçi.
Adelina Farrici, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës Kombëtare të Bashkive, propozoi që fondet të rriten pasi limiti 1% e PBB-së është i pamjaftueshëm për të përballuar të gjitha zhvillimet klimatike.
“Kjo është e pamjaftueshme përballë detyrave që ka qeverisja lokale. Është vendosur një dysheme 1% në ligjin e financave lokale, dhe ne gjithmonë kemi marrë vetëm 1%, pra duhet të rritet. Të ketë fonde shtesë për të rritur standardet, apo shërbimet. Sa i takon grantit të performancës ai duhet të vazhdojë, dhe të futet si kriter edhe tek transferta e pakushtëzuar. Ka ardhur koha të rishikohet formula e transfertës së pakushtëzuar pasi kanë kaluar 10 vite nga reforma dhe kemi rezultatet e reja të censit”, tha Adelina Farrici.
Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja ka ngritur shqetësimin se institucioni që ai drejton përballet me mungesë të theksuar fondesh veçanërisht në infrastrukturën rurale. Ai kërkoi krijimin e një fondi të veçantë për bashkitë rurale dhe malore.
“Kërkojmë krijimin e një fondi të veçantë për bashkitë rurale dhe malore. Ky fond duhet të marrë parasysh, si territori i gjerë, dendësia e ulët të popullsisë dhe kostot e larta të infrastrukturës. Pa këtë instrument të dedikuar, pabarazia territoriale do të thellohet edhe më tej. Bashkia Kavajë përballet me mungesë të theksuar fondesh veçanërisht në infrastrukturën rurale. Rrugët rurale mbeten prej vitesh një sferë e pazgjidhur për shkak të financimeve të pamjaftueshme. Ndonëse ato janë thelbësore për ekonominë lokale, lëvizshmërinë e komuniteteve dhe patjetër për turizmin”, tha Fisnik Qosja.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, informoi se bashkia ka trashëguar borxhe nga reforma territoriale, në vlerën 6 milionë euro. Xholi ka kërkuar mbështetje nga komisioni për dhënien e granteve që të lehtësohet shlyerja e borxheve për ekzekutim të pagesave nga vendimet gjyqësore.
“Pogradeci ka trashëguar pas reformës 6 mln euro borxh me gjithë përpjekjet është përgjysmuar por ne nuk ja dalim dot sidomos ndaj tyre që janë fituar me vendime gjyqësore. Kemi 300 mijë euro në vit shlyerje detyrimesh, por ne nuk shlyejmë asgjë sepse vetëm shlyejmë borxhe që dalin nga vendimet gjyqësore. E kam ngritur zërin ka 6 vite, nuk mund të shkojnë dëm 300 milionë lekë. dua mbështetjen tuaj, dua një grant nga qeveria sepse gabimi është bërë që me reformën territoriale. Sepse ky borxh nuk duhet të ishte i bashkisë por duhet borxh publik. Bashkia herë pas herë bllokohet nga kompani që kanë fituar gjyqet, e kam të pamundur të vazhdoj në këtë situatë. Pavarësisht se i kemi rritur të ardhurat e bashkisë, mbledhim 6 milionë euro në vit, por nuk mjaftojnë. Të paktën të shlyejmë këto borxhe, ndaj kërkojmë një grant nga buxheti”, tha Ilir Xhakolli.
Kryebashkiaket kërkuan gjetjen e një zgjidhjeje edhe për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, që shumica janë nga koha e ish komunave, pra i takojnë ndarjes së vjetër territoriale. Një propozim ka qenë edhe përfshirja e tyre si pjesë e paqes fiskale për fshirje të borxheve më të vjetra se 10 vjet./ZËRI