
TIRANË- Tre janë kompanitë që kanë përfituar tendera me kritere të manipuluara nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Bëhet fjalë për kompaninë “Krijon” që zotërohet me 70% të aksioneve nga Piro Zoga dhe 30% të aksioneve nga Bifrost Holding; “Zero Group” që zotërohet nga Arnold Kadiudhe “Malvina Visoka” që zotërphet nga Malvina Visoka.

Sipas SPAK zyrtarët e UBT favorizuan dhe krijuan kushte në shpalljen fitues në 9 tendera të këtyre tre operatorëve ekonomik, duke siguruar oferta ekonomike false.

“Në 9 tenderë 3 kompanitë siguruan oferta ekonomike false në emër të shoqërive tregtare të tjera. U bë fryrja e fondit limit pa bërë asnjë studim tregu,”- thuhet në njoftim.

Çfarë po ndodh në UBT?
Deri më tani janë lëshuar 24 masa sigurie me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në pranga kanë përfunduar: Eduart Terthorja, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike në universitet dhe Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike në universitet, Piro Zoga, Mehmet Qoshja, specialist për fondet. Në "arrest shtëpie" janë lënë: Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho dhe Tedi Proda.
Sipas SPAK, nga hetimet proaktive me metoda speciale si; përgjimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), vëzhgimet e kryera nga Policia e Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të procedurave të prokurimit, me autoritet kontraktor Universiteti Bujqësor i Tiranës, deri në këtë fazë të hetimit janë hetuar në kuadër të këtij procedimi nëntë procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të prokurimit prej 90.000.000 (nëntëdhjetë milion) lekë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nesër, Rektori Fatbardh Sallaku do të flasë në orën 09:00 në mbledhjen e grupit parlamentar të socialistëve.