
KRUJË- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg për Agron Tufën, i cili akuzohet se vrau dhe dogji Kejsi Hysën në Krujë. Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2018 në Nikel, ku Tufa masakroi dhe vrau 34-vjeçarin për shkak të pazareve të kanabisit. 52-vjeçari u arrestua në janar të vitit 2024 në Bari, Itali dhe u esktradua në vendin tonë në shtator të po të njëjtit vit, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjykata e Krujës e ka dënuar atë në vitin 2021 në mungesë me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje. Në lidhje me vrasjen e të riut në Nikël, është vetëdorëzuar në polici dhe i dyshuari tjetër, Hysni Ramaj.
“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Mbi bazën e materialit referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, prokuroria e Rrethit Gjyqësor Krujë, ka regjistruar procedimin penal të vitit 2018, i cili lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 07.07.2018, ku shtetasi me iniciale S. H në Komisariatin e Policisë Laç ka bërë kallëzim për zhdukjen e djalit të tij me iniciale K. H.
Pas marrjes në pyetje të shtetasit me iniciale H. R, ky i fundit ka deklaruar se ai së bashku me shtetasin A. T e kishin vrarë dhe groposur pranë varrezave të lagjes shtetasin me iniciale K. H.Mbi kërkesën e Prokurorisë, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, është zhvilluar gjykimi i çështjes penale ndaj:.
I. të pandehurit me iniciale Agron Tufa (në mungesë), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 76-25, 278/1-25 dhe 303-25 të Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr. 99, datë 17.06.2021, ka vendosur:
• Deklarimin fajtor të pandehurit A.T për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me dashje” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 76-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 20 (njëzet) vite burgim.
• Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 278/1 -25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
• Deklarimin fajtor të pandehurit A. T për kryerjen e veprës penale të “fshehja ose asgjësimi i kufomës” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 303-25 të Kodit Penal dhe në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 5 (pesë) vite burgim.
• Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve për të pandehurin A. T, duke u dënuar me një vendim të vetëm prej 30 (tridhjetë) vite burgim.
• Vuajtja e dënimit për të pandehurin A. T të kryehet në një burg të sigurisë së lartë.
Më datën 06.01.2024, nga Autoritetet Italiane është bërë i mundur arrestimi i të pandehurit me iniciale A.T me qëllim ekstradimin e tij nga Roma në Shqipëri; ekstradim ky, i cili është kryer në datë 13.09.2024.
Mbi kërkesën me objekt: “Rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë” të paraqitur nga ana e përfaqësuesit ligjor të të dënuarit me iniciale A.T , Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr.1244, datë 10.12.2024 ka vendosur:
“Rivendosjen e të dënuarit A.T në afat për të bërë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kundër vendimit nr 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë…”
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga i pandehuri me iniciale A. T, i cili kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me një tjetër trup gjykues.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 25.02.2025 Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 99, datë 17.06.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë”, njofton Gjykata e Apelit.
Kejsi Hysa u ekzekutua në korrik të vitit 2018. Ai njihej në Krujë si fajdexhi, pasi jepte borxh në kërkim të interesit. 34-vjeçari që gjykohej në Sarandë për akuzën e vrasjes, dhe ishte në kërkim, qëndronte i lirë në këtë zonë në Krujë që sipas Prokurorisë ai kryente aktivitet kriminal në fushën e tregtimit të drogës dhe administronte një lokal, të quajtur bar “Nikla”.
Pikërisht në këtë lokal është njohur dhe me Hysni Ramën, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të ngushtë dhe besim shoqëror, duke i dhënë herë pas here sasi droge për ta mbajtur në ruajtje në banesën e tij. Për këtë shërbim, Hysni Ramën e paguante 100 deri në 200 euro. Por hera e fundit që i ka dhënë 50 kg drogë për ruajte, nuk ka qenë e suksesshme, dhe lënda narkotike ishte 'zhdukur'. Fill pas kësaj ai i ka kërkuar llogari Agron Tufës dhe Ramajt, të cilët më pas e kanë vrarë, duke tentuar që t’i fshehin dhe kufomën. Agron Tufa së bashku me Hysni Ramën kanë ekzekutuar me armë zjarri 34-vjeçarin Kejsi Hysa dhe më pas i kanë djegur trupin viktimës. Trupi i 34-vjeçarit,Kejsi Hysa, u gjet pas disa ditës i groposur në një parcelë, pranë lumit në Nikël./ZËRI