
TIRANË- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka mbajtur gjithashtu një qëndrim publik lidhur me deklaratat që ka bërë kryeministri Edi Rama. Në një deklaratë publike, KLP shpreh mbështetjen publike ndaj institucionit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga institucioni i drejtësisë, KLP kërkon pavarësi, paanëshmëri dhe përputhjen me ligjin.
"Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent,"-shkruhet në njoftimin zyrtar.
DEKLARATE PER MEDIA E KESHILLIT TE LARTE TE PROKURORISE, 12.02.2025
Në vijim të qëndrimeve të mëparshme për garantimin e pavarësisë së prokurorëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë rithekson mbështetjen ndaj institucionit të prokurorisë për ushtruar funksionet e tij në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Ruajtja e këtyre parimeve është thelbësore për funksionimin e drejtësisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Këshilli kërkon nga të gjithë aktorët që të respektojnë pavarësinë dhe integritetin profesional të prokurorëve, duke siguruar që ata të ushtrojnë funksionet e tyre pa ndikime të jashtme në funksion të dhënies së drejtësisë. Pavarësia e prokurorisë është një gur themeli për besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe për garantimin e një sistemi ligjor të drejtë e transparent.
Kryebashkiaku Erion Veliaj do të njihet sot në GJKKO me masën e sigurisë. Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “arrest shtëpie”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI