Aktualitet

Dënohen shqiptarët motër e vëlla! Tentuan “spiunazh” me informacione nga bursa, gjyqtari: Do i kishit bërë vetë ato para!

Shqiptari tregtonte aksionet e prekura duke përdorur llogari të shumëfishta, përfshirë ato që operoheshin nga motra e tij.

k.m.
Dënohen shqiptarët motër e vëlla! Tentuan
Redinel dhe Oerta Korfuzi

LONDËR- Një ish-analist i "Janus Henderson", një grup global britaniko-amerikan i menaxhimit të aseteve me seli në Qytetin e Londrës, Mbretëria e Bashkuar, u shpall fajtor për përdorimin e informacionit konfidencial mbi kompani. Në këtë mënyrë ai kishte fituar gati 1 milion paund (1.3 milion dollarë). Bëhet fjalë për një shqiptar që kishte një karrierë të ngritur në Britaninë e Madhe, por vendosi që të "devijonte". Redinel Korfuzi, 38 vjeç, u akuzua për përdorimin e informacionit që ai kishte aksesuar përmes punës së tij si analist kërkimor duke përdorur llogaritë e mbajtura nga motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeç. Bashkë me shqiptarët, të pandehur u morën edhe dy persona të tjerë.

Sipas mediave të huaja, Korfuzi e përdori rolin e tij për të parë email-et nga kompanitë që vlerësonin interesin e investitorëve për rritje të kapitalit ose shitje të mëdha aksionesh. Brenda pak minutash nga momenti që kishte qasje në informacion, shqiptari tregtonte aksionet e prekura duke përdorur llogari të shumëfishta, përfshirë ato që operoheshin nga motra e tij.

Midis dhjetorit 2019 dhe marsit 2021, të dy "tregtuan" në 13 kompani dhe gjeneruan fitime prej më shumë se 960,000 £. Dyshja u arrestua në mars të vitit 2021. Rasti zbuloi gjithashtu një operacion ndërkombëtar pastrimi parash, që përfshinte 173 depozita nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri.

Redinel dhe Oerta Korfuzi u shpallën fajtorë për abuzim me informacione të brendshme dhe pastrim parash më 19 qershor 2025, pas një gjyqi 18-javor në Gjykatën e Kurorës në Southwark. Redinel Korfuzi, 38 vjeç, u dënua me gjashtë vjet burg në Gjykatën e Kurorës në Southwark të premten, ndërsa motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeç, u dënua me pesë vjet burg.

“Tregtia me informacione të brendshme zvogëlon besimin e publikut në integritetin e tregut. Ju menduat se ishit shumë të zgjuar për të mos u kapur. U mblodhën aq shumë para të gatshme saqë u porosit një kasafortë në West End për t’i ruajtur. Fitimet tuaja të ligjshme do të kishin tejkaluar shumë më shumë. Asnjëherë më nuk do t’ju besohet më nga askush që të investoni para në emër të tyre,"- tha gjykatësi Alexander Milne sipas "Bloomberg".

Redinel Korfuzi konsiderohej si një yll në ngritje te "Janus Henderson", i lavdëruar si një punonjës jashtëzakonisht i zellshëm përpara se të arrestohej në mars 2021. Ai ishte në rrugën e duhur për t'u ngritur në detyrë nga analist në një rol menaxhimi fondesh. Për një vit ai fitoi më shumë se 500,000 £ në vitin 2020./ZËRI

Poll

MOS HUMB