
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani është paraqitur në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. I pyetur nga gazetarët në hyrje të Prokurorisë së Posaçme, Dogjani tha se ka shkuar që të dorëzojë një dokument, të cilin thotë se ka kërkuar ai që t’ua vë në dispozicion prokurorëve.
"Erdha të do çoj një dokument,”-tha ai para gazetarëve.
Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet ndaj Dogjanit në dhjetor të 2024, dhe mori atë sit ë pandehur për akuzat për deklarim të rremë pasurie. Në sqarimin publik që ka publikuar SPAK, thuhet se deputeti Dogjani ka blerë një apartament në vitin 2006 dhe e ka paguar me 121 mijë euro kesh, në mënyrë që të fshehë burimin e të ardhurave.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shton se më 24 Mars 2010, deputeti deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial". Apartamentin, deputeti tha se e kishte marrë në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar kompanisë. Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe në deklarimin e pasurisë që bëri më 16 Qershor 2023. Por, sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se për apartamentin, deputeti ka paguar kesh shumën prej 121.980 eurove./ZËRI