TIRANË- Përshakllëzimi i protestave në Shqipëri ka tërhequr vëmendje e ndërkombëtarëve dhe ka nxitur reagimin e organizatave ndërkombëtare. Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka shprehur shqetësimin për raportimin mbi dhunën gjatë protestave.
Përmes një deklarate zyrtare, OSBE-ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve që të ruajnë paqen. Gjithashtu, zyra e OSBE-së thekson se forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ndaj protestuesve dhe se çdo rast i tillë, duhet të hetohet pa vonesë dhe në mënyrë të pavarur.
“Të shqetësuar nga raportimet për dhunë gjatë protestave në Shqipëri, ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve të ruajnë paqen. Forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve dhe çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet pa vonesë dhe në mënyrë të pavarur”, thuhet në deklaratë.
Ky reagim vjen në ditën e 8-të të protestave në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me tensione dhe incidente dhune. Gjatë përplasjeve të vazhdueshme mes protestuesve dhe policisë, janë regjistruar incidente të ndryshme, duek shtuar shqetësimin për mbarëvajtjen e tubimit./ZËRI