VLORË-Deputeti i Partisë Socialiste Ardit Bido, ka njoftuar se situata në Vlorë, ku banorët ndodhen prej tre ditësh pa ujë, është drejt normalizimit. Bido me anë të një postimi në rrjete sociale shprehet se sistemi i furnizimit me ujë mund të zgjidhet nesër.
Bido njofton se ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit.
Ardit Bido: Vlora drejt normalitetit, fundi i avarisë po afrohet. Pas më shumë se 72 orësh pune intensive në terren, ka sinjale pozitive se avaria e rëndë në sistemin e furnizimit me ujë në Vlorë mund të zgjidhet brenda ditës së nesërme. Ka qenë një situatë e vështirë dhe e lodhshme për qytetarët. Shqetësimi i tyre është i drejtë dhe i kuptueshëm, pasi mungesa e ujit për disa ditë rresht nuk mund të jetë realiteti i një qyteti si Vlora. Sipas informacioneve nga terreni, ndërhyrjet janë në fazën përfundimtare dhe po punohet për rikthimin gradual të furnizimit. Është e domosdoshme që çdo zhvillim të komunikohet me transparencë dhe që kjo situatë të shërbejë si një mësim i qartë për të forcuar sistemin dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Lajmi vjen pas një proteste të zhvilluar mbrëmjen e sotme nga banorët e Vlorës, përpara Teatrit “Petro Marko”, për të shprehur pakënaqësinë ndaj pushtetit. Qytetarët e tensionuar nga situata ku ndodhen kanë hyrë në teatër duke ndërprerë shfaqjen që po zhvillonte Bashkia për festat e fundvitit. Protesta u zhvillua mes tensioneve ku pati edhe përplasje me Policinë në ambjentet e teatrit./ZËRI