VLORË-Qytetarë të Vlorës, të mbështetur edhe nga disa anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, kanë ndërprerë mbrëmjen gala të organizuar nga Bashkia e qytetit në teatrin “Petro Marko”, në kuadër të festave të fundvitit. Shkak i reagimit të fortë ka qenë mungesa e plotë e ujit të pijshëm, problem që qyteti po e përjeton prej tre ditësh rresht.
Sipas informacioneve, furnizimi është ndërprerë për shkak të një defekti në linjën kryesore të transmetimit. Ndërsa Ujësjellësi i Vlorës ka punuar prej disa ditësh për riparimin, presioni i lartë në rrjet ka bërë që pjesët e salduara të çahen vazhdimisht. Edhe tentativa e fundit, e kryer mbrëmjen e kaluar, ka dështuar, duke e lënë qytetin sërish pa ujë.
Të revoltuar, protestuesit kanë hyrë me forcë në ambientet e teatrit, ku punonjës dhe përfaqësues të Bashkisë po merrnin pjesë në aktivitetin festiv. Ata mbanin në duar shishe dhe bidona bosh uji, si simbol i mungesës së një shërbimi jetik, që sipas tyre është problem i përditshëm për vlonjatët. “Poshtë trafikantët, duam ujë o shkër*ata”, ishin disa nga thirrjet e tyre.
Policia e Shtetit ndërkohë ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar disa prej tyre./ZËRI