
TIRANË- Vetëm 60 minuta para skadimit të ultimatumit të vendosur nga protestuesit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen. Në një përgjigje me shkrim për Reuters, kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se nuk do të largohet nga detyra pavarësisht protestave që kanë hyrë në ditën e tretë radhazi.
Protestuesit i kanë lënë Ramës afat deri këtë të enjte, në orën 13:00, për të dhënë dorëheqjen. Një natë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave në rast se kërkesa e tyre nuk merret parasysh.
Sipas njoftimit të tyre, nëse kryeministri nuk largohet nga detyra brenda afatit të përcaktuar, protestuesit do të marshojnë drejt Presidencës, ku do të kërkojnë shpërndarjen e Parlamentit.
Ndërkohë, me vetëm 60 minuta të mbetura nga afati, studentë dhe gjimnazistë në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit kanë bojkotuar mësimin dhe vijojnë protestat për të tretën ditë radhazi. Situata në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera paraqitet e tensionuar. Gjatë marshimeve, protestuesit kanë djegur kosha mbeturinash, kanë shkulur kangjella dhe kanë hedhur lëndë piroteknike.
Me skadimin e ultimatumit në orën 13:00, mbetet për t’u parë nëse protestuesit do të kalojnë në fazën e paralajmëruar të përshkallëzimit. Nga ana tjetër, mbetet për t'u parë cili do të jetë edhe reagimi i institucioneve përballë kërkesave të tyre, por edhe reagimi i vetë kryeministrit...nëse do të ketë sërish një të tillë./ZËRI
