ELBASAN- Hetimet për vrasjen e 43-vjeçarit Mondi Mëhalla po vijojnë, ndërkohë që grupi hetimor ka analizuar pamjet e kamerave të sigurisë pranë biznesit të viktimës ku edhe ndodhi ngjarja. Sipas hetuesve, autorët kanë lëvizur disa herë përgjatë perimetrit në atë zonë, teksa kanë vëzhguar dhe ndjekur me kujdes lëvizjet e biznesmenit.
Sipas hetuesve, autorët janë siguruar për prezencën e objektivit dhe kanë pritur deri sa ai të dilte jashë dhe të hipte në automjetin e tij "Range Rover". Menjëherë sapo ai është ulur në makinë, autorët i janë afruar me një "Audi" të zi, ku njëri prej tyre ka zbritur nga automjeti dhe ka qëllluar disa herë në drejtim të biznesmenit. Dyshohet se vetëm njëri është qitësi, ndërsa personi tjetër ka drejtuar automjetin me të cilin janë larguar pas ngjarjes.
“Nga kamerat është vënë re se autorët lëvizën disa herë pranë biznesit. Ata dinin se objektivi ndodhej brenda dhe pritën derisa ai të hipte në automjetin e tij. Në atë moment, një Audi i zi i dyshuar u afrua dhe një prej autorëve, i identifikuar si qitësi, zbriti dhe qëlloi disa herë me pistoletë. Vetëm një person qëlloi, ndërsa tjetri drejtoi automjetin, dhe të dy u larguan menjëherë nga vendngjarja”, thanë hetuesit.
Dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Librazhdit, teksa paraditen e sotme u gjet një automjet i djegur në afërsi të fshatit Mirakë. Burime bëjnë me dije se brenda saj hetuesit gjetën një pistoletë “Beretta”, e njëjta që dyshohet se u përdor në krim.
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmen e të dielës në mjetin e tij Range Rover, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij.
Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash.
Gjatë ditës së djeshme, ZËRI raportoi se Mondi Mëhalla njihet në Elbasan si mik i ngushtë i Kei Piut, një personazhi me precedent penalë që i ka shpëtuar një atentati të organizuar nga grupi i Talo Çelës. Mondi Mëhalla, ishte pronari i club lounge "Hollyvood Lounge Bar", i cili njëherësh zotëronte dhe një pikë karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil” si dhe një kompani taksish me emrin "El Taxi".
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan, 50 metra larg vendit ku ndodhi masakra e 4 shkurtit 2016, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën rëndë./ZËRI