TIRANË- Gjykata e Lartë ka rikthyer për gjykim dosjen e 3 gjyqtarëve që vendosën për heqjen e burgimit të përjetshëm ndaj Dritan Dajtit.
Trupi gjykues i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici prishën vendimin e Apelit të GJKKO të datës 27 nëntor 2020 (që kishte vendosur pushimin e çështjes) dhe vendosën rikthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese, duke kërkuar hetimin e tre gjyqtarëve.
Dritan Dajti u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe ndodhet në qeli prej vitit 2008. Ai ka bërë disa tentative për uljen e dënimit, dhe në Shkurt të vitit 2019 një trupë gjykuese pranë Apelit vendosi të shuante burgimin e përjetshëm për Dajtin, duke e dënuar atë me 25 vite burg.
Tre gjyqtarët Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj në shumicë, vendosën të pranojnë kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, çka uli dënimin e tij me 1/3. Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë në pakicë ishin Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.
Vendimi ishte i debatueshëm dhe madje në atë kohë shtyu prokurorin Klodian Braho të urdhëronte kontrolle në banesat e gjyqtarëve, nën dyshimin se ata mund të ishin përfshirë në korrupsion lidhur me vendimin lehtësues në favor të Dajtit.
Gjatë kontrolleve në banesën e njërit prej gjyqtarëve, Daminit, u gjet një shumë prej 17 mijë eurosh, që asokohe dyshohej si rryshfet për uljen e dënimit.
Në operacionin e gushtit të 2009 për arrestimin e Dritan Dajtit mbetën të vrarë efektivët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari. Në atë kohë, Dajti kërkohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë./ZËRI