ELBASAN- Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, dyshohet se është dhunuar nga dy persona në mes të qytetit. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës, 6 shtator, ndërsa është bërë publike këtë të enjte.
Edhe pse i dëmtuari nuk ka bërë kallëzim në Policinë e Elbasanit, uniformat blu kanë nisur hetimet me iniciativë, pasi ngjarja ka ndodhur në një zonë ku kanë qenë të pranishëm edhe disa qytetarë, të cilët kanë shërbyer si dëshmitarë. Sipas të dhënave paraprake, Tabaku është goditur nga dy persona, të identifikuar si Endri Çopja dhe Horgito Peqini. Dyshohet se gjatë sulmit janë përdorur edhe sende të forta, ku për pasojë, mësohet se Tabaku ka pësuar dy fraktura në kokë.
Deri më tani nuk dihen detajet apo rrethanat e ngjarjes, ndërsa sipas burimeve, një prej pistave të dyshuara për motivin lidhet me një konflikt për punësimin.
Lidhur me këtë pistë, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se Luan Tabaku kishte larguar nga puna në Bashkinë e Elbasanit bashkëshorten e Endri Çopjas dhe ky vendim mund të ketë sjellë përplasjen mes tyre. Megjithatë, kjo pistë mbetet e pakonfirmuar, ndërsa në fokus të hetimit është edhe e kaluara e dy personave të dyshuar, pasi bëhet fjalë për përfshirje të personave me precedentë penalë.
Emra të njohur për autoritetet, si Endri Çopja. Ky i fundit, është arretuar më herët nga policia si i dyshuar për përfshirjen në atentatin me eksploziv ndaj Lulzim Kullës, ngjarje e ndodhur më 13 janar 2018 në Shkodër, ndonëse u lirua pasi nuk u gjetën prova.
Po ashtu, një tjetër i dyshuar është Horgito Peqini, nipi i Eduart Peqinit, i njohur si “Mandela i Elbasanit”. Peqini është liruar nga burgu vetëm pak kohë më parë, ku kishte vuajtur një dënim për një vrasje të ndodhur në vitin 2022.
Por, edhe vetë dretjori i Ujësjellësit, Luan Tabaku, po ashtu rezulton një emër jo pak i njohur në Elbasan. Ai është përfolur më herët për afërsi me Suel Çelën. Vetëm një vit më parë, në prill të 2025, agjentët e BKH-së dhe Policia e Shtetit ushtruan kontrolle në banesën e Tabakut. Disa muaj më vonë, ai u paraqit në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të dyshimeve se kishte favorizuar Suel Çelën në tendera publikë.
Ndërkohë, deri më tani, nuk ka asnjë person të ndaluar në lidhje me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të saj dhe në vijim pritet edhe një njoftim nga autoritetet. Ndërkohë, faqja “Lolita” thotë se janë dhunuar 2 drejtorë brenda 10 ditëve në Elbasan, teksa nuk është bërë kallëzim nga vetë personat e dëmtuar./ZËRI