
TIRANË- Ëngjëll Cani, babai i Martin Canit që u qëllua me thikë për vdekje nga bashkëmoshatari i tij, Mario Prelleshi ka rrëfyer momentin e tmerrshëm kur ka marrë vesh që djali i tij ka ndërruar jetë. Në një intervistë për “Opinion”, ai thotë se janë njoftuar fillimisht që djalin e kishin tek Spitali i Traumës dhe më pas kanë tentuar të komunikojnë me mësuesen e tij kujdestare, por ajo nuk u është përgjigjur. Me lot në sy dhe duke puthur foton e të birit, ai tregoi se kanë qëndruar në pritje të përfundimit të operacionit, të cilit iu nënshtrua Martini pas plagosjes, por lajmi që morën ishte i kobshëm. Martin Cani nuk mbijetoi!
“Morëm vesh që djali ishte tek Trauma, ishte futur në operacion. Tentuam të telefonojmë mësuesen kujdestare, s’përgjigjej. Menduam se kishte bërë një sherr të vogël, a diçka. Ikëm te spitali ushtarak. Më thanë, djali juaj është në sallë të operacionit, është goditur dhe ka mundësi të shpëtojë. Pas një ore, më thotë, nuk mundi të mbijetojë Martini. Kemi fletat e lavdërimit, ja ku i kemi. Ai ishte shembull, ka qenë me 10-a. ai ishte fëmijë që nuk bënte sherr me njeri, as kur luante futboll, ishte lider. Më thoshte, o babi mos më ki merak mua, unë do bëhem si Ronaldo, do më njohin të gjithë,”- rrëfeu i ati.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ndodhi të hënën. Të rinjtë, Martin Cani dhe Mario Prelleshi ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr ku edhe u përleshën me thika. Autori vrau 14-vjeçarin dhe plagosi shokun e ngushtë të viktimës, Luis Meçen. Gjatë marrjes në pyetje për shkakun e sherrit, autori është shprehur se përplasja kishte nisur për një "pse më shikon?", por në asnjë moment nuk ka shprehur pendesë./ZËRI