
TIRANË- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka bllokuar gjithashtu futjen e mandarinave nga Shqipëria. Në një njoftim zyrtar të bërë nga "AUV" është bërë me dije se Agjencia po monitoron situatën pasi Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur alarmin për ngarkesat se mandarina që vijnë nga Shqipëria kanë nivele alarmante pesticidesh. Ndaj, AUV ka shtuar se edhe pse Kosova nuk është përfshirë në lajmërimet e Sistemit Evropian, megjithatë ka marrë masa për të hequr dyshimet.
“AUV nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë. Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me ketë produkte, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik në me qëllim testimi/përcaktimi te nivelit te mbetjeve në pesticide përfshihet (lloji parametri i dyshuar për testim ( MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet). Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjmë me qellim të eliminimit të dyshimeve të ngritura... Deri me tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi ketë produkte,”-shkruhet ndër të tjera në njoftim.
Dje u zbulua se sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Nga vendet ku janë eksportuar mandarinat, fruti është konsideruar si i palejushëm për t'u konsumuar pasi përmban nivel të rrezikshëm pesticidësh. Lidhur me rastin, ministria e Bujqësisë deklaroi se bëhet fjalë për tre ngarkesa me mandarina clementine të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Po ashtu, njoftoi se ndaj subjekteve janë marrë ndëshkime./ZËRI