TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme, e cila është kapur dhe filmuar nga droni "Bayraktar". Krahas me pamjet e zjarrvënies, Rama ka bërë dhe një koment të ashpër, duke e cilësuar aktin si një tradhti ndaj tokës tonë. Kreu i qeverisë shprehet se në këto kohë të vështira, do të duhet që ta barazojmë zjarrvënien me vrasjen në Kodin Penal.
Edi Rama: Të ndezësh një zjarr me qëllim, nuk është vetëm krim, por është tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë. Ja dhe pamjet e një zjarrvënieje të qëllimshme të evidentuar sot nga dronët e Forcës Ajrore. Policia e Shtetit është në terren për të çuar përpara drejtësisë këdo që luan me flakët mbi pasurinë e përbashkët. Ndërkohë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, zjarrvënien do të duhet ta barazojmë me vrasjen në Kodin Penal. *Këto janë pamjet e dronit Bajraktar ku dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Aktualisht, sipas Kodit Penal, shkatërrimi apo dëmtimi nga pakujdesia, përmes zjarrit, të pyjeve dhe bimësisë, dënohet nga 2 deri në 5 vite burg. Kur zjarri nga pakujdesia ka shkaktuar pasoja të rënda për pronën, shëndetin ose jetën e njerëzve apo dëme të rënda dhe të zgjatura në kohë ndaj mjedisit, dënohet me burgim nga 3-8 vjet./ZËRI