
TIRANË– Këtë të mërkurë u numërua muaji i dytë i protestës që nga data 31 maj, menjëherë pas icidenteve të ndodhura në Zvërnec.
Edhe këtë të mërkurë, protestuesit u mblodhën në sheshin 'Skënderbej', ku vijuan më pas marshimin drejt godinës së Kryeministrisë përgjatë bulevardit 'Dëshmorët e Kombit', me pankarta dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit. Në këtë protestë jan bërë bashkë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të bashkuar për të njëjtit qëllim.
Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, edhe sot po mbahen fjalime përpara godinës së Kryeministrisë nga qytetarë të ndryshëm. Protesta e sotme pritet të përmbyllet me një tubim në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI