ELBASAN- Prokuroria e Elbasan ka nisur një hetim penal ndaj kompanisë "AlbChrome" pas konstatimit të ndotjes nga raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik.
Sipas raportit të AKM-së, bëhet fjalë për mbetje të krijuara gjatë proceseve industriale, të përftuara nga pluhurat e kapëseve, të cilat janë akumuluar prej vitesh dhe janë depozituar në ambiente të hapura. Raporti evidenton se mbetjet janë depozituar pa masa të përshtatshme sigurie dhe pa respektuar standardet e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit.
Agjencia Kombëtare e Mjedisit i cilëson mbetjet me rrezikshmëri të lartë, me përbërës potencialisht kancerogjenë. Sakaq, raporti ngre shqetësime për rrezikun që këto mbetje mund të paraqesin për shëndetin e banorëve dhe mjedisin përreth.

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, ka urdhëruar nisjen e procedimit penal, teksa vendosur ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për të zbardhur rrethanat dhe përgjegjësitë lidhur me këtë çështje. Grupi hetimor përbëhet nga tre prokurorë dhe dy hetues, të cilët do të administrojnë provat dhe dokumentacionin përkatës, si dhe do të kryejnë veprimet e nevojshme hetimore. Gjithashtu, mësohet se ndër veprimet e para të urdhëruara është edhe këqyrja e vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin e gjendjes faktike në terren, identifikimin e mbetjeve të depozituara dhe dokumentimin e situatës mjedisore.


Hetimi pritet të hedhë dritë mbi mënyrën e administrimit dhe depozitimit të mbetjeve, kohëzgjatjen e kësaj praktike, përgjegjësitë e mundshme të personave apo subjekteve të përfshira, si dhe pasojat që mund të jenë shkaktuar në mjedis dhe shëndetin e komunitetit.
Ndotja industriale në Elbasan mbetet një problematikë e përsëritur, veçanërisht në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik, ku aktiviteti industrial dhe administrimi i mbetjeve kanë ngritur ndër vite shqetësime për sigurinë mjedisore.ZËRI