Aktualitet

"E bëra vrasjen!"/ Selim Velsula u masakrua me thikë nga kushëriri, autori telefonoi motrën

Pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, ai i kishte kërkuar gruas që ta ndihmonte për të nxjerrë bagëtitë.

k.m.
"E bëra vrasjen!"/ Selim Velsula u masakrua me thikë nga
Foto ilustruese

TIRANË- Arrestohet vrasësi i Selim Velsulas! Autori i vrasjes së 65-vjeçarit në Klos është arrestuar në Tiranë, mëngjesin e sotëm. Sipas të dhënave të deritanishme, autori Hazbi Velsula është kushëri me viktimën që u gjet buzë rrugës në Xibër pa shenja jete.

Por si ndodhi vrasja?

Viktima jetonte prej vitesh në Xibër, ku njihej nga banorët e zonës si një person i qetë dhe jo konfliktual. Pasditen e djeshme, rreth orës 16:00, ai i kishte kërkuar gruas që ta ndihmonte për të nxjerrë bagëtitë. Atje qëndronte i vetëm derisa iu afrua i afërmi i tij. 28-vjeçari Hazbi Velsula, i cili jeton prej vitesh në një nga fshatrat e Tiranës, i kishte thirrur viktimës duke i thënë: Hajde se kam një muhabet!

Më pas, kur i afërmi i është afruar, e ka qëlluar disa herë me thikë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Viktima, edhe pse i plagosur dhe me disa plagë thike në trup, ka tentuar që të kthehet drejt banesës së tij, por nuk ia ka dalë dot. Ai u gjet në rrugën e fshatit nga një banor i zonës, i cili ka njoftuar menjëherë bashkëshorten e viktimës. Ndërkohë që familja e viktimës kishte njoftuar Policinë, autori kishte marrë të motrën në telefon duke i thënë: E bëra vrasjen me thikë! 

Ka qenë e motra më pas, ajo që ka njoftuar Policinë për vendndodhjen e autorit, i cili ishte strehuar në banesën e të vëllait.

Edhe pse autori është kapur, ende nuk dihet motivi i vrasjes së 65-vjeçarit, por dyshohet se autori vuan nga probleme të shëndetit mendor.

NJOFTIMI I POLICISË:

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku u gjet pa shenja jete, dyshohet i vrarë me armë të ftohtë (thikë), shtetasi S.V. Vihet në pranga autori i vrasjes. Autori u kap në mesnatë nga shërbimet e DVP Tiranë, në Allias. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër Personit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11.06.2025, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi S.V., 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen. Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua arma e ftohtë (thikë), që dyshohet se është përdorur nga autori. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”./ZËRI

Poll

MOS HUMB