
DIBËR- Familjarët e Selim Velsulës, i cili u vra mbrëmë nga kushëriri i tij, kërkojnë drejtësi për ngjarjen e rëndë. Në një prononcim të dhënë për mediat, gruaja dhe vajza e të ndjerit kërkojnë burg përjetë për autorin, kushëririn e tyre Hazbi Velsula. Teksa gruaja tregonte momentin e fundit me bashkëshortin e ndjerë, vajza ndërhyri dhe kërkoi nga drejtësia burg përjetë për autorin duke kundërshtuar pretendimet se i riu vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ajo ka deklaruar se nuk e fal gjakun e të atit dhe ka kërkuar që autori të dënohet me burgim të përjetshëm, ndryshe paralajmëron vetëgjyqësi.
DEKLARATAT E TYRE:
Gruaja: Kishte shkuar në mëngjes për të çelur bagëtinë. Çeli lopën dhe iku tek kullota. Vetëm kur më erdhi çuni, më tha e kanë vrarë Selimin. I thashë 'po jo more'. Iku ai dhe unë nuk dija asnjë gjë. Nuk ka pasur asnjë konflikt me këtë person. Ai nuk është fare depresion.
E bija: Ai ka ardhur me vetëdije. Po të ishte në depresion nuk do vinte i përgatitur me hunj dhe thika. Babai im nuk ka pasur asnjë lloj faji. As nuk është zënë me të, as nuk ka bërë fjalë ndonjëherë. Nuk e falim kurrë gjakun tonë. Duam që të dënohet me burg përjetë, nëse lirohet do i shkojmë deri në fund. Nuk e falim gjakun tonë. Nuk ka qenë në depresion. Ai ka shkuar me lopë. Po të jesh në depresion nuk shkon aq i përgatitur tek tjetri. E ka goditur, e ka tërhequr zvarrë dhe pastaj ka ikur. Nuk ka pasur asnjëherë konflikt. Ai nuk ka qenë në depresion. Nuk do ia falim kurrë. Sikur qielli me tokën të bashkohet, kurrë nuk e fal gjakun e babit tim. Nëse del nga burgu, ne do marrim hakun dhe gjakun e babit tonë.
Gruaja: Unë kam frikë me ndejt këto tashi. Unë kam frikë se më vrasin dhe mua nuk mund të rri më këtu tani.
Por ndryshe prej tyre mendon kushëriri i parë i viktimës, Rasim Velsula. Për mediat, ky i fundit ka deklaruar se të dy familjet nuk kanë pasur konflikte me njëri-tjetrin. Ai shprehet gjithashtu se autori në momentin e kryerjes së krimit mund të ketë qenë në gjendje të rënduar psikologjike.
“Kemi hyrje-dalje me të dyja familjet. Unë them që autori ka qenë në depresion, nuk e shpjegoj dot ndryshe. Është i ri i pamartuar. Ishin fis kushërinj me njëri-tjetrin. Nuk kishin konflikte me njëri-tjetrin. Autori kishte prej disa vitesh në Tiranë, jetojnë familjarisht atje, vijnë vetëm që punojnë tokat. Ne e dinim sikur ishin jashtë shtetit, në Greqi, por ja që ndodhi kjo që ndodhi,”- tha ai.
Zenel Velsula, një nga personat e parë që shkoi në vendin ku u masakrua me thikë Selim Velsula, ka treguar se pranë trupit të viktimës ndodhej edhe një dru, me të cilin ai dyshon se u godit 56-vjeçari. Ai theksoi se i vëllai i Selim Velsulës kishte qenë rreth 500 metra larg vendit të krimit, por nuk kishte dëgjuar zhurma dhe as s’e kishte parë trupin e pajetë të të vëllait.
“Telefoni është gjetur më lart, viktima ishte këtu i shtrirë. Ishte i vrarë, i gjakosur. Në kokë se kam parë. Kishte një dru ndërmjet këmbëve, këtu ka qenë i shtrirë. Ka qenë duke ruajtur lopën dhe kalin. Telefoni u gjet pak më sipër. Viktima s’ka pasur konflikt, as me autorin. Nuk kanë pasur konflikte për toka, autorin se kam parë në fshat. Faturuesi i ujit, se po hapja kanalin e ujit unë dhe një tjetër, kishte ardhur këtu, ishte afruar dhe kishe parë trupin. Më mori në telefon më tha ‘ka ndodhur një ngjarje hajde shpejt’, jemi komshinj. Më tha “S’po e njoh a është Selimi apo Elmazi’, se i vëllai ka qenë më poshtë me bagëtitë. Erdhëm këtu dhe lajmëruam policinë. Kur erdha ishte këtu vëllai i vet e pyeta “A dëgjove zhurmë a diçka?”. Më tha që s’kishte dëgjuar gjë. I thashë “Si s’ke parë vëllain e varë në rrugë”, tha “Ku është?”. S’kishte parë gjë,”- tregoi bashkëfshatari.
Gjetan Dalipi, kunati i 65-vjeçarit Selim Velsulës, tretoi se rrinte çdo ditë me viktimën, por ai nuk i kishte rrëfyer kurrë për ndonjë konflikt të mundshëm.
“Kur u ktheva nga Tirana, më merr vëllai dhe më tregon ngjarjen. Erdha direkt, kishte dy orë që kishte ndodhur ngjarja. Nga ora 5-6 pasdite. Unë nuk kam dijeni se kam pasur qëndruar me Selimin. Autori këtu banonte por ishte larguar. Mund të ketë ardhur para dy ditësh. Edhe Selimi s’më ka thënë se ka mosmarrëveshje. Nuk kanë pasur asnjë konflikt pronësie. Ne nuk dimë asgjë për çfarë e ka bërë krimin. S’dihet asgjë se nuk ka pasur njeri tjetër aty. E ka parë rastësisht një elektricist, ka qenë duke punuar te kanali. Ka kaluar me fuoristradë, e ka parë të shtrirë, i cili ka njoftuar policinë dhe familjen,”- tha Dalipi.
65-vjeçari Selim Versula u vra mbrëmjen e djeshme në Xibër të Dibrës, nga i afërmi i tij. 28-vjeçari Hazbi Velsula, i cili jeton prej vitesh në një nga fshatrat e Tiranës, e ka qëlluar disa herë me thikë për arsye që ende nuk dihen. Tashmë, ai është vendosur në pranga dhe Policia po punon për vrasjen e ngjarjes./ZËRI