POGRADEC-Nëna 34-vjeçare e arrestuar një ditë më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Murrqanit, në kthim nga Gjermania e akuzuar për dhunë ndaj vjehrrit të saj, është bashkuar me një nga tre fëmijë, foshnjën 7-muaj. Foshnja është dërguar sot në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë, ku ndodhet e ëma e tij, 34 vjeçe, e cila po vuan një dënim prej dy muajsh burg.
34-vjeçarja është nënë edhe e dy fëmijëve të mitur, njëri 4 vjeç dhe ka probleme shëndetësore, ndërsa i dyti është 2 vjeç. Familjarët pretendojnë se vjehrri e ka falur 34-vjeçaren dhe se dënimi prej dy muajsh burg duhej të ishte përfituar nga ligji i amnistisë. Pavarësisht këtyre pretendimeve, urdhri i ekzekutimit të vendimit gjyqësor është zbatuar nga institucionet përgjegjëse.
Rasti u raportua nga gazetarja Anila Hoxha, e cila ndau detaje nga arrestimi i vështirë sapo 34-vjeçarja hyri në Shqipëri. Ajo kërkoi që fëmijët të qëndronin me të, duke deklaruar se nuk kishte kujt t’ua linte.
Gjatë ditës së sotme pritet që Avokati i Popullit të zhvillojë një vizitë në burgun e Pojskës për t'u takuar me 34-vjeçaren dhe për t'u njohur nga afër me rrethanat e rastit, si dhe me kushtet në të cilat po qëndron fëmija i mitur së bashku me nënën e tij.
