
ITALI- Gentiana Kopili vdiq nga gjakderdhja e brendshme, e shkaktuar nga 17 plagë që mori me thikë. Bazuar në plagët në trupin e të ndjerët, mjekët kanë dalë në përfundimin se 45-vjeçarja po përpiqej që të mbrohej nga ish-burri i saj. Për të shmangur disa goditje në trup, ajo ka përdorur krahët. Por ish-bashkëshorti, Nikollaq Hudhra, e ndoqi dhe e qëlloi gjithsej 17 herë me thikë. Disa nga goditjet që ai i dha ishin fatale. Në këto përfundime doli mjeku ligjor Antonio Tombolini.
"Ekzaminimi i mjekut ligjor zgjati rreth dy orë. Gentiana ka një plagë në krah që tregon se ajo u përpoq të mbrohej dhe më pas iku me vrap. Goditjet fatale i dëmtuan organet e brendshme dhe i shkaktuan hemorragjinë. Plagë u gjetën edhe në fytyrë, të cilat mund të jenë shkaktuar nga një nga shqelmat e dhëna nga Hudhra kur gruaja kishte rënë në tokë,"-bënë me dije mediat italiane.
Thika kishte teh 18 centimetra dhe Hudhra e kishte fshehur në një qese, në mënurë që të mos vihej re nga kalimtarët.
Nesër në Tolentino do të mbahet mesha e fundit për të, ndërsa funerali i saj do të zhvillohet në Shqipëri.
Krimi ndodhi mbrëmjen e 14 qershor, pak pas orës 19:45, në Viale Benadduci. Nikollaqi nxori një thikë dhe e goditi ish-gruan e tij disa herë me thikë. Pasi ajo ra në tokë, nisi ta qëllonte me shkelma. Kalimtarët e tronditur njoftuan menjëherë Policinë. Ish çifti kanë dy fëmijë, 21 dhe 23 vjeç, të cilët jetonin me nënën./ZËRI