DURRËS- Resorti "Saint Michelle Camping Hotel" në Shetaj (Ishëm), në pronësi të ish-kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Ardian Halili, do të shembet me lëndë plasëse pasditen e sotme. Objekti në fjalë është ndërtuar pa leje gjatë kohës që Halili ishte në detyrë, ndërsa autoritetet e zbuluan paligjshmërinë këtë gusht të 2025-ës.
Resorti përfshin ambiente luksoze, pishina dhe struktura banimi. Hetimet e nisura po shtrihen edhe mbi dokumentacionin pranë Kadastrës, pasi dyshohet se i gjithë kompleksi është i ndërtuar në paligjshmëri, ndonëse në njoftimin fillestar policia fliste për disa shtëpi pushimi pa leje.
Ardian Halili u arrestua tre ditë më parë nga Policia e Durrësit pasi kishte ndërtuar pa leje këtë resort. Halili ka qenë i komanduar në krye të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit Durrës prej 3 vitesh, (nisur nga viti 2018) dhe në prill të 2021 është shkarkuar nga detyra. Ai ka deklaruar se kontrata i është ndërprerë nga Bashkia që në mars të atij viti, ndërsa vetë institucioni vendor ka bërë me dije se ai kishte dhënë dorëheqjen./ZËRI

