TIRANË-Një nënë shtatzënë ka sjellë në jetë foshnjën e saj në Spitalin Universitar të Traumës. Nëna u paraqit në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës, si struktura më e afërt spitalore për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Stafi mjekësor i Spitalit Universitar të Traumës reagoi menjëherë, duke koordinuar situatën me ekipin e Maternitetit “Koço Gliozheni”.
Edhe pse Spitali Universitar i Traumës është një strukturë e specializuar kryesisht në trajtimin e pacientëve me trauma, rasti tregon rëndësinë e dhënies së ndihmës së menjëhershme, veçanërisht në situata urgjente. Lindja u realizua me sukses dhe nëna dhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë.
"Mirëmëngjes me lajmin e mirë që një nënë shtatzënë, e cila u paraqit në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, si struktura më e afërt spitalore, solli në jetë foshnjën e saj dhe të dy gëzojnë shëndet të plotë. Falë koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimit të ekipeve mjekësore të SUT dhe SUGJ “Koço Gliozheni”, ndërhyrja u realizua në kohë, duke garantuar kujdesin e nevojshëm për nënën dhe të porsalindurin,"-shkruan Ministria e Shëndetësisë, bashkangjitur imazheve të ekipit mjekësor me foshnjën e porsalindur.