Aktualitet

Gushti i zjarreve! Në 24 orë 35 vatra, 5 aktive, problematike situata në Pukë, evakuohet një familje

Vatrat kryesore janë ajo në Dajt, Pukë, Mirditë, Malësi dhe Gramsh. 

F.I
Gushti i zjarreve! Në 24 orë 35 vatra, 5 aktive, problematike situata
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me situatën e zjarreve në vend, ku në 24 orë janë regjistruar 35 vatra zjarri nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive. Vatrat kryesore janë ajo në Dajt, Pukë, Mirditë, Malësi dhe Gramsh. 

Për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Alarmante u paraqit situata në Pukë, ku një ditë më parë flakët e favorizuara nga era ju afruan fshatrave dhe banesave, ku një familje u evakuua. Sot situata është drejt përmirësimit, por vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. 

NJOFTIMI:

Ministria e Mbrojtjes - informim mbi situatën e zjarreve gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 3 po mbahen në kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore:

* Dajt, Tiranë – vijon puna për shuarjen e zjarrit, sot me mbështetjen e 30 efektivëve të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra e Priskës është në kontroll.

* Lufaj, Mirditë – vatra vijon aktive me intensitet të ulët dhe forcat operacionale vazhdojnë punën. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Tërbun–Gjegjan–Gojan, Pukë – situata në sipërfaqet pyjore të Tërbunit është përmirësuar, ndërsa vatrat në Gjegjan dhe Gojan vijojnë aktive. Gjatë operacionit u evakuua një familje dhe, falë ndërhyrjes së forcave, u shmang rreziku për banesën. Sot operacioni mbështetet nga 40 efektivë të FA dhe 2 helikopterë.

* Gjorm i Sipërm, Malësi e Madhe – vijon puna për shuarjen e vatrës së riaktivizuar me 2 automjete zjarrfikëse dhe 6 efektivë të MZSH.

* Tunjë e Re, Gramsh – vijon puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit; nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, Gurë-Lura mbetet nën kontroll pas shuarjes së zjarrit, ndërsa në Qafë Helmes vijon puna e forcave operacionale, pa rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Poll

MOS HUMB