ANGLI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Angli, ku një 22-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi është vrarë me thikë. Sipas BBC, viktima është Lorik Abazi, 22-vjeç, i cili u godit për vdekje ditën e diel në Croydon.
Lidhur me ngjarjen, janë të dyshuar 3 persona. Policia ka arrestuar dy vajza 25-vjeçare dhe një djalë 28-vjeç, si të dyshuar. Njëra prej vajzave është liruar më vonë me kusht. Po ashtu, BBC raporton se të rinj të tjerë të moshës 21-vjeç janë gjetur me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse dhe janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në përleshje.
Në një deklaratë, familja tha: “Ai ishte një i ri i kujdesshëm, i zgjuar me një sens të mirë humori. Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e miqtë e tij e deshëm shumë. Një dritë është shuar në jetën tonë dhe jemi të shkatërruar pa fjalë nga humbja e tij.”
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, duke ofruar çdo informacion, pamje apo filmim që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes./ZËRI