GREQI-Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Nea Smyrni të Athinës, ku një burrë shqiptar dyshohet se ka vrarë me armë një grua 45-vjeçare, gjithashtu me origjinë shqiptare, dhe më pas i ka dhënë fund jetës. Mediat fqinje shkruajnë se trupat e pajetë u zbuluan në hyrje të pallatit në rrugën “Grigoriou Kydonia” nr. 3. Viktima, një 45-vjeçare nga Shqipëria, ka plagë me armë zjarri në trup dhe në fytyrë, ndërsa burri një në kokë.
Sipas të dhënave të deritanishme të autoriteteve greke, burri dyshohet se i kishte zënë pritë 45-vjeçares. Kur ajo mbërriti pranë pallatit, ai e qëlloi disa herë me armë zjarri, duke e vrarë dhe më pas qëlloi veten në kokë.
Në pallatin ku ndodhi krimi banon vajza e 45-vjeçares. Nga informacionet e deritanishme nuk rezulton që viktima dhe autori të kenë qenë të martuar. Ata kanë qënë të lidhur dhe dyshohet për një konflikt xhelozie mes çiftit. Një banore e zonës ka treguar se rreth orës 05:30 të mëngjesit kishte dëgjuar tri të shtëna.
Oficerët e hetimit të vrasjeve po vlerësojnë provat materialet, analizat balistike dhe gjetjet mjeko-ligjore për të sqaruar plotësisht historinë e marrëdhënies mes tyre dhe motivet e kësaj tragjedie.