TIRANË-Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) ka reaguar pas akteve të regjistruara një ditë më parë në selinë e Nunciaturës Apostolike (ambasada e Selisë së Shenjtë / Vatikanit) në Tiranë. Mbrëmjen e djeshme, të rinjtë gjatë protestës u ndalën para Selisë së Shenjtë, ku hoqën flamurin e Vatikanit nga godina e ambasadës dhe në vend të tij vendosën flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare.
View this post on Instagram
Akti është dënuar nga Ministria e Jashtme, ku në reagimin zyrtar thuhet se akti është shkelje e legjislacionit vendas dhe normave ndërkombëtare. MEPJ nënvizon se mbrojtja e misioneve diplomatike është një detyrim parësor për shtetin shqiptar dhe kërkon nga institucionet të garantohet siguria dhe paprekshmëria e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri.
REAGIMI:
Respektimi i paprekshmërisë dhe dinjitetit të përfaqësive diplomatike është një detyrim themelor, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe të drejtën ndërkombëtare. E drejta për të protestuar është pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike, por ushtrimi i saj duhet të respektojë ligjin dhe të përjashtojë çdo formë dhune apo vandalizmi. Autorët e akteve të paligjshme duhet të identifikohen dhe të përgjigjen përpara ligjit.
Në mbyllje, Ministria e Jashtme përshëndeti ndërhyrjen e forcave të rendit dhe shprehu bindjen se situata do të zbardhet sa më shpejt nga organet hetimore, duke garantuar se do të merren të gjitha masat për sigurinë e trupit diplomatik në vend.
Ministria vlerëson reagimin e Policisë së Shtetit dhe shpreh besimin se institucionet kompetente do të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe, së bashku me institucionet e përfshira, do të garantojë sigurinë dhe paprekshmërinë e të gjitha përfaqësive diplomatike në Shqipëri.