DURRËS-Banorët e ish-kabinave të plazhit pranë “Rrotës së Kuqe” në Durrës janë përballur sot me ekzekutimin e urdhrit të përmbarimit, duke u detyruar të largohen nga banesat ku kanë jetuar për më shumë se 30 vjet. Situata u shoqërua me tensione ku familjarët refuzonin të dorëzonin godinat.
32 familje që prej 3 dekadash banojnë në vilat 36 dhe 38 në zonën e plazhit të Durrësit kundërshtojnë vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kërkon që ata të dalin nga shtëpitë e tyre, sepse 2 godinat janë privatizuar nga pronari i truallit dhe nuk janë më pronë e bashkisë.
Familjet pretendojnë se u është kërkuar të aplikojnë si të pastrehë për banesa të reja, ndërsa procesi në Gjykatën e Apelit është zvarritur pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili kishte në dorë çështjen. Në 20 shtator 2012, Ministria e Financave dhe Bashkia Durrës ia kanë shitur vilat 36 dhe 38 një shtetasi, i cili tani kërkon lirimin e godinave nga familjarët./ZËRI