
TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urhdëruar të sekuestrohet telefoni i ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore. Përmes një njoftimi zyrtar, Policia bën me dije se ka ekzekutuar vendimin për kontroll fizik dhe atë të banesave ndaj 5 personave. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj Elvis Rroshit iu sekuestrua telefoni, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish. Po ashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan telefonat e Orges Sinella, Tak Rroshi dhe Tauland Hasa.
Ndërsa Mirel Sinella, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Ata dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë.
"Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me oficerët e BKH-së, në funksion të procedimit penal nr. 82, i vitit 2025, ekzekutuan vendimin e datës 17.05.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kontrollin fizik dhe atë në banesat e 5 shtetasve.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. Rr., 50 vjeç, banues në Kavajë, iu bllokua telefoni celular, si dhe në një ambient në pronësi të tij u gjetën dhe u sekuestruan fatura, kupona nafte dhe lista zgjedhësish.
Shtetasve O. S., 38 vjeç, T. Rr., 44 vjeç, të dy banues në Kavajë, dhe shtetasit T. H., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës, Policia u sekuestroi telefonat celularë.
Ndërsa shtetasit M. S., 37 vjeç, banues në Kavajë, Policia i sekuestroi një DVR, kupona nafte dhe një pistoletë manovër. Këta shtetas dyshohen për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe hetimet në kuadër të procedimit penal vijojnë", njofton Policia./ZËRI