
TIRANË-Një konflikt i rëndë ka ndodhur midis disa personave rreth mesnatës në Tiranë, pranë Pallatit me Shigjeta. Personat e konfliktuar, Eduart Koboçi dhe Zenel Trofi, janë përfshirë në një ndjekje me makina duke përplasur edhe 2 automjete të ndaluara në semafor. Pas aksidentit masiv shoferët e automjeteve kanë braktisur makinat dhe janë konfliktuar fizikisht me sende të forta, pëfshirë edhe levat, ndërsa dyshohet se është qëlluar edhe me armë.
Mësohet se debati mes tyre ka nisur nga brenda makinave 'BMW' dhe 'Benz' që në Misto Mame, e verifikuar pas këqyrjes së pamjeve të kamerave nga Policia. Pasi ka mbërritur Policia janë larguar me vrap dhe makinat e tyre janë sekuestruar. Në automjetin e braktisur, i cili drejtohej nga Eduart Koboçi, efektivët kanë gjetur një gëshojë.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-shpallën në kërkim shtetasit E. K., 28 vjeç dhe Z. T., 35 vjeç, pasi mbrëmë, rreth orës 23:20, afër pallatit me shigjeta, dyshohet se duke ndjekur njëri-tjetrin, me automjete, kanë përplasur 2 automjete të ndaluara në semafor. Pas përplasjes me dëme materiale, ata kanë braktisur automjetet që drejtonin dhe janë larguar. Gjatë kontrollit në automjetin që dyshohet se e drejtonte shtetasi E. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur një predhë të dyshuar arme zjarri pistoletë. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Policia ka shpallur në kërkim dy drejtuesit e automjeteve, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. /ZËRI