TIRANË-Zyrtarë të FBI-së kanë mbërritur në Tiranë, në tur 5 ditor. Drejtues të strukturave ligjzbatuese shqiptare do të zhvillojnë takime me ekspertë të sigurisë nga SHBA-ja dhe Europa, në kuadër të një konference që do të vendosë në qendër bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe sfidave të reja të sigurisë.
Nga 19 deri më 23 shtator, kryeqyteti shqiptar pret takimin e 42-të të Kapitullit Europian të FBI National Academy Associates, me temë “Building International Partnerships – Combating Organized Crime for a Safer Environment”. Organizatorët e paraqesin Tiranën si një platformë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e ekspertizës mes strukturave ligjzbatuese.
Konferenca do të hapet zyrtarisht të hënën, më 21 shtator, ndërsa në listën e të ftuarve të parashikuar në axhendë janë drejtues të lartë të institucioneve shqiptare dhe amerikane. Mes tyre renditen Zëvendësdrejtori Ndihmës në selinë qendrore të FBI-së, Spencer Horn, FBI Law Enforcement Attaché në Legat Sofia, Brendan Collins, si dhe drejtues të Policisë së Shtetit, SPAK, BKH-së dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Në axhendë figuron gjithashtu Presidenti Ndërkombëtar i FBINAA, Jim Gallagher.
Diskutimet do të shkojnë përtej formave tradicionale të krimit të organizuar. Stephanie Stevens, FBI Assistant Law Enforcement Attaché në Berlin, do të flasë për hetimin e rrjeteve të fortifikuara të komunikimit kriminal, një temë që lidhet drejtpërdrejt me sfidat që teknologjitë e komunikimit të koduar kanë krijuar për strukturat ligjzbatuese.
Një nga temat më të veçanta është grupimi online “764”, i lidhur nga autoritetet amerikane me forma të ekstremizmit të dhunshëm dhe aktivitete kriminale në internet. Në program është edhe tema “From Confiscation to Public Good”, që lidhet me mënyrën se si pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara mund të përdoren për qëllime publike.
Në konferencë diskutohet roli i inteligjencës financiare në luftën kundër krimit të organizuar. Në program është përfshirë edhe një rast konkret i hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit në fushën e narkotikëve. Rasti do të prezantohet nga hetuesi i BKH-së, Eduart Kaloshi.
Axhenda parashikon gjithashtu prezantimin e një rasti të suksesshëm të hetuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit, si dhe një diskutim mbi tendencat e grupeve kriminale dhe përgjigjen e strukturave ligjzbatuese, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve shqiptarë të EUROPOL-it.