Aktualitet

Fletëarrest për shokun e Safet Bajrit dhe kushëririn e tij, ku ndodhen sot Astmer Bilali dhe Behar Bajri

Astmer Bilali dhe Behar Bajri ndodhen në burg nga korriku i vitit 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

F.I
Fletëarrest për shokun e Safet Bajrit dhe kushëririn e tij, ku
Astmer Bilali dhe Behar Bajri

TIRANË-Forcat Speciale "RENEA" kanë arrestuar me urdhër të GJKKO këtë të premte Safet Bajri. Por masa sigurie 'arrest në burg' është firmosur edhe për Astmer Bilalin dhe kushëririn e tij Behar Bajri. Dyshohet se Safet Bajri bashkëpunoi me Asmer Bilalin për të vrarë Fatbardh Licin, ngjarje e ndodhur në 2018.

Teksa Safet Bajri ndodhet në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës, dy bashkëpuntorët e dyshuar të tij ndodhen në burg. Astmer Bilali dhe Behar Bajri ndodhen në burg nga korriku i vitit 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.

Behar Bajri u arrestua më datë 4 shtator 2023 në një lokal në Strasburg të Francës, pasi ishte shpallur në kërkim në korrik 2023 në kuadër të dosjes “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Franca, më 16 nëntor 2023, nën masa të rrepta të sigurisë. Ndaj tij rëndojnë 7 akuza, ku ndër më të rëndat janë vrasja dhe grupi i strukturuar kriminal. Hetimet për zbërthimin e bisedave në aplikacionin Sky Ecc nisën pas informacioneve nga autoritetet holandeze, belge dhe franceze. Në bisedat e përgjuara, biznesmeni Pëllumb Gjoka, po ashtu i vënë në pranga në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, i ka kërkuar Bajrit që të vriste për 120 mijë euro Klenthi Musabelliun, ish-punonjës në policinë e burgjeve.

Në dosjen “Metamorfoza”, Bajri akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogari të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit. Të gjitha këto ngjarje, Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita, i arrestuar pasi dyshohet se mori 30 mijë euro për këtë nder.

Astmer Bilali, ish-kampioni i boksit u arrestua më 27 Korrik 2023. Bisedat dhe provat e mbledhura nga hetimi tregojnë se Bilali me bashkëpunëtorët e tjerë tentuan dhe siguruan kushte për të vrarë Dorjan Dulin, Ibrahim Licin dhe Genc Tafilin, atentate që dështuan. Emri i Astmer Bilalit ishte përmendur edhe më herët. 

Bilali u arrestua në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri”. Në 2020-n Astmer Bilali u dënua nga gjykata me 3 vite heqje lirie, me gjykim të shkurtuar. Ai akuzohej për armëmbajtje pa leje, ndërtim i paligjshëm dhe paracaktim i rezultateve sportive. Astmer Bilali është hasmëri me familjen Lici në Shkodër. Po ashtu ai u përmend nga Fahrije Alija, nëna e Endri Mustafës, ky i fundit i vrarë në Maj të 2021-t, si porositës dhe i implikuar drejtpërdrejtë në vrasjen e të birit. Ajo akuzoi prokurorinë e Shkodrës se po e mbronte Astmer Bilalin nga akuzat e ngritura ndaj tij. 

Kujtojmë po ashtu se babai dhe xhaxhai i Astmer Bilalit, Astrit Bilali dhe Brahim Bilali, u vranë me armë zjarri në 2019-n. Babai i tij ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Emri i Astmer Bilalit u permend po ashtu si i dyshuar edhe për vrasjen e Ismet Çekores, i ekzekutuar po në Shkodër në Shkurt të 2022-t./ZËRI

Poll

MOS HUMB