ITALI-Është gjetur trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35-vjeçares me origjinë shqiptare dhe banuese në Trento, e cila ishte raportuar e zhdukur më 22 tetor. Sipas mediave italiane, trupi i Floresha Prengut është gjetur në fillim të kësaj jave, rreth 40 kilometra larg qytetit të Trentos. Pas verifikimeve, familja konfirmoi se bëhej fjalë për 35-vjeçaren, për të cilën për më shumë se dy muaj kishte shpresë për një fund tjetër.
Floresha Prengu, 35 vjeçe, doli nga banesa e saj në mëngjesin e 22 tetorit për të shkuar në punë, por nuk u kthye më në shtëpi, ku e prisnin bashkëshorti dhe dy vajzat e saj të vogla. Sipas mediave italiane, ajo pritej të kthehej në orën 17:00, por nuk u shfaq kurrë. Bashkëshorti, i shqetësuar nga mungesa e saj, njoftoi menjëherë policinë, duke ngritur alarmin për zhdukjen.
Menjëherë pas zhdukjes, autoritetet italiane nisën kërkime intensive, ku u përfshinë zjarrfikësit, ekipe kërkim-shpëtimi, zhytës dhe helikopterë, si në zona malore ashtu edhe përgjatë lumit Adige. Për dy muaj me radhë, kërkimet vazhduan pa rezultat. Familjarë dhe të afërm kishin deklaruar se Floresha ishte shumë e lidhur me fëmijët e saj dhe se nuk kishte shfaqur asnjë shenjë shqetësimi. Sipas autoriteteve, mendohet se 35-vjeçarja u mor nga rryma e lumit Adige, të cilës nuk arriti dot t’i mbijetonte./ZËRI

