VLORË- Kozma Kukli, 61-vjeçari që u dhunua mbrëmjen e djeshme nga dy të rinj në qytetin e Vlorës, ka rrëfyer se është kërcënuar që të mos njoftonte policinë. Sipas rrëfimit të 61-vjeçarit, dy të rinjtë tashmë të arrestuar, Ermal Sakaj dhe Kaludio Nurçaj, i kanë prerë rrugën me një furgon, kanë zbritur dhe e kanë goditur me sende të forta pa asnjë paralajmërim. Pas ngjarjes, dy autorët janë larguar, ndërsa Kukli i ka ndjekur me biçikletën e tij, por të rinjtë e kanë kërcënuar që mos të njoftojë as policinë. Ai ka deklaruar se nuk i njihte dhe s'kishte pasur kurrë më parë kontakt me ta.
“Isha te posta e Çoles duke bërë pazar, kur një furgon mallrash më preu rrugën. Zbritën dy djem rreth moshës 25-30 vjeç, të veshur me të zeza, dhe filluan të më godasin pa më thënë asnjë fjalë. Nuk më dhanë asnjë arsye dhe nuk kisha fuqi t’u ktheja përgjigje. Tentuan të largoheshin, por u dola përpara bashkë me biçikletën time për t’i ndaluar. Atëherë më thanë: ‘Provo të marrësh policinë dhe të tregojmë ne. Ishte një sulm pa asnjë arsye. Mund të kenë qenë 100 vetë dëshmitarë aty pranë dhe askush nuk reagoi. Më parë nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Nuk i njihja fare”, tha ai.
Si pasojë e dhunës, 61-vjeçari Kukli pësoi 3 fraktura në kokë e fytyrë, si dhe ka dëmtime serioze në njërin sy. Kozma Kukli, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit, u dhunua fizikisht përballë tregut të Çoles. Policia ka mundur të arrestojë dy autorët me precedentë të mëparshëm kriminalë. Njëri prej tyre ka qenë i dënuar më parë për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer me armë zjarri, ndërsa tjetri i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Viktima ndodhet aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë./ZËRI
