ROSKOVEC-Në banesën e familjes Plaka janë hapur dyert e mortit për dy bashkëshortët që humbën jetën në krimin e rëndë të ndodhur mëngjesin e 24 korrikut, ku Kosta dhe Belere Plaka u vranë me armë nga ish-dhëndri Refit Buzi.
Kryefamiljari Kosta Plaka, 58 vjeç, humbi jetën në vendngjarje pasi u qëllua me armë gjahu nga Refik Buzi, ndërsa bashkëshortja e tij, Bejlere Plaka, 55 vjeçe, mbeti e plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në spital. 35-vjeçari pasi vrau ish-vjehërrit mori peng ish-të fejuarën e tij Rozalinda Plaka, 24-vjeçe. Me ndërhyrjen e policisë dhe RENEA-s, Buzi liroi ish-partneren, ndërsa vetë vrau veten pasi qëndroi i ngujuar në makinë për disa orë.
Ceremonia mortore për Refit Buzin do të mbahet paraditen e së dielës (26 korrik).
Banorët kanë shprehur ngushëllimet ndërsa theksojnë se dikush duhet të kishin rregulluar më para muhabetet që ngjarja mos të përfundonte në këtë tragjedi.
“Është tragjedi e rëndë, s’kemi çfarë të flasim. Se besonim se do përfundonte deri këtu. Çifti kishte dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Çfarë të themi më tepër. Edhe familjen e autorit i njohim. Ata kanë pasur shkuarje si krushqi”, u shpreh një nga banorët e fshatit.
“Duhet t’i kishin rregulluar më para muhabetet. U shua një shtëpi. Nuk ishte gjë e mirë, ikën në moshë të re”, shtoi një tjetër pak para përcjelljes për në banesën e fundit të çiftit Plaka./ZËRI
