Aktualitet

Kapet 1 kg heroinë në Tiranë! Pranga 2 trafikantëve, mes tyre “Gëzim Qorri”, droga sigurohej në Elbasan

Lënda narkotike ishte destinuar për t’u shpërndarë në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tiranën e Re.

F.I
Kapet 1 kg heroinë në Tiranë! Pranga 2 trafikantëve, mes
PAMJE NGA ARRESTIMI

TIRANË-Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi u kapën me mbi 1 kilogram heroinë, që dyshohet se do të shpërndahej në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga janë vendosur 51-vjeçari Gëzim Muhameti banues në Tiranë, dhe 35- vjeçari nga Gjirokastra, Zhuljan Prençi. Lënda narkotike ishte destinuar për t’u shpërndarë në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në Tiranën e Re.

Gëzim Muhametin, i njohur edhe me nofkën “Gëzim Qorri” dyshohet se prej më shumë se 20 vitesh është i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe konsiderohet një nga furnizuesit kryesorë të heroinës për grupe të ndryshme kriminale që veprojnë në kryeqytet. 

Lënda narkotike sigurohej në Elbasan përmes kontakteve që Muhameti kishte me persona të përfshirë në këtë aktivitet, ndërsa më pas organizohej shpërndarja e saj në Tiranë. Dyshohet se origjina e heroinës ishte Turqia. Heroina e sekuestruar nga agjentët e Antidrogës vlerësohet të ketë një vlerë tregu mbi 50 mijë euro. 

Njoftimi i policisë:

Finalizohet faza e tretë e operacionit policor të koduar “Zonat”.

Goditet një tjetër rast i furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.

Sekuestrohen mbi 1 kg heroinë. Vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi me sukses fazën e tretë të operacionit policor të koduar “Zonat”, duke goditur një tjetër rast të furnizimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta.

Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, dhe Zh. P., 35 vjeç, banues në Gjirokastër.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin qarkullonin këta shtetas, në rrugën “Prokop Mina”.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 kg e 71 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas do të furnizonin shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht në zonën e Tiranës së Re.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Gjatë fazave të para dhe të dytë të operacionit “Zonat”, janë sekuestruar mbi 1 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe janë vënë në pranga dy poseduesit e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB