TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga operacioni i koduar "Gun Expert", ku arrestua 46-vjeçari Altin Celami, i cili rezulton i implikuar edhe më parë për të njëjtin aktivitet kriminal. Burime bëjnë me dije se Altin Celami, ish-ushatarak, është arrestuar edhe në vitin 2022, si person i dyshuar se ndihmonte dhe furnizonte me armë grupet kriminale.
Ai u arrestua së bashku me 14 persona të tjerë, të cilët operonin si një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë. Para arrestimit, ky grup kriminal tentoi edhe vrasjen e Aleksandër Jahos, i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut. Për këtë arsye ishte pezulluar nga funksionet ushtarake në repartin e Pezë Helmës.
Altin Celami u ndalua në Rrugën e Dibrës, teksa drejtonte automjetin e tij tip taksi. Gjatë kontrollit fizik, të automjetit dhe të banesës, iu gjetën 4 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilat nga hetimet dyshohet se do t’iu shiteshin grupeve kriminale. Armët dhe lëndët narkotike kokainë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin./ZËRI
