TIRANË-Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe krimin e organizuar (GJKKO) ka vendosur të zbusë masën e sigurisë për Redi Mollën, ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës. Sipas vendimit Molla është dërguar në 'arrest shtëpie' për arsye shëndetësore, duke lënë pas arrestin me burg.
Redi Molla dhe ish-drejtorët e tjerë të Bashkisë Tiranë, Mariglen Qato dhe Taulant Tusha u arrestuan në muajin mars të vitit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Zyrtarët e Bashkisë së Tiranës Bashkisë akuzohen nga Prokuroria e Posaçme, se kanë lehtësuar një skemë korrupsioni që ka mundësuar përfitimin e dhjetëra tenderave publikë nga një kompani private, që dyshohet se zotërohet “de facto” nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, i pari ish-drejtor i Ujësjellësit të Tiranës dhe i dyti ish-drejtues i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, aktualisht administrator i ndërmarrjes së Bashkisë, Tirana DC. SPAK përfundoi hetimet paraprake më 8 janar të këtij viti për fraksionin e dytë të dosjes ‘5D’, duke marrë të pandehur 9 zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim.
SPAK pretendon se ka provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qenë të paracaktuar për t’u shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere ku përfitues të tenderave ishin drejtorët e bashkisë, njëherësh pronar faktik të kompanisë “5D”./ZËRI