DURRËS- Dy të rinj janë arrestuar nga policia në Durrës, pasi gjatë natës, kanë prishur qetësinë me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin në sheshin “Taulantia” dhe në zonën për rreth. Në pranga kanë rënë Kejdi Previzi 21-vjeç nga Tirana dhe Lorenc Basha 24-vjeç. Blutë bëjnë me dije se nga verifikimet ka rezultuar se dy të rinjtë, nuk ishin të pajisur me leje për drejtim të motomjeteve.
Njoftimi:
Durrës/ Prishën qetësinë publike, gjatë natës, me zhurmat e marmitave të motomjeteve që drejtonin pa leje, në sheshin “Taulantia”, arrestohen 2 shtetas.
Sekuestrohen 2 motomjetet tip “Yamaha”.
Gjatë patrullimeve 24-orëshe, me objektiv garantimin e sigurisë publike dhe parandalimin e paligjshmërive, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës konstatuan gjatë natës, se 2 të rinj po shqetësonin banorët dhe qytetarët në sheshin “Taulantia” dhe në zonën përreth, nëpërmjet gjenerimit të zhurmave nga sistemet e shkarkimit të 2 motomjeteve që drejtonin.
Për këtë paligjshmëri, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, u krye arrestimi në flagrancë i shtetasve K. P., 21 vjeç, banues në Tiranë dhe L. B., 24 vjeç, banues në Durrës.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ata nuk ishin të pajisur me leje për drejtim të motomjeteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.