TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. Avokati i deputetit, Bardh Spahia gjatë seancës gjyqësore në GJKKO ka depozituar një prove te re. Avokati u shpreh se rasti ka të bëjë me një procedurë prokurimi ku drejtori i Ujësjellësit, Mark Molla nuk ka kryer detyrën lidhur me tenderin.
Nga ana tjetër prokurorja e SPAK, Dorina Bejko tha se kjo provë nuk mund të merret në shqyrtim pasi sipas saj nuk ka lidhje me lirimin nga detyra të administratorit.
"Ne mbajmë te njëjtin qëndrim për këtë prove, sepse na është bërë me dije që në fazën e hetimit paraprak. Fakti qe ai pretendon të provojë nuk lidhet me shkakun për të cilin ai akuzohet. Bardh Spahia mund te ndiqte rrugë të tjera ligjore si auditim, etj për mos përmbushjen e detyrave si drejtor të Mark Mollës. Kërkojmë qe mos pranohet si prove e re dhe mos behet pjese e shqyrtimit gjyqësor. Nuk ka lidhje me lirimin nga detyra te administratorit”, tha prokuroria.
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Ai u kallëzua në SPAK në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër. Spahia akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës". SPAK njofton se Spahia ka pushuar nga puna administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Mark Mollën dhe vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së. Ish-drejtori e denoncoi për shkarkim në shkelje të ligjit dhe gjykata e riktheu në detyrë, vendim të cilin Bardh Spahia nuk e zbatoi./ZËRI