TIRANË-Katër deputetët demokratë, Gazment Bardhi, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati janë paraqitur në GJKKO si dëshmitarë në procesin ndaj ish-kryebashkiakes së komanduar të Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj. Hetimi ndaj saj nisi në bazë të një kallëzimi të deputetëve demokratë.
Në një deklaratë për mediat pas seancës, Bardhi sqaroi se prania e tyre erdhi si pasojë e thirrjes së gjykatës në cilësinë e firmëtarëve të kallëzimit penal. Ai theksoi se qëndrimi i tyre mbetet i palëkundur, duke shtuar se pretendimet e tyre u vërtetuan edhe nga vetë SPAK përmes marrjes së personave nën akuzë.
Islamaj, në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj, konkretisht motrës së saj. Për këtë dosje, SPAK ka marrë të pandehur dhe biznesmenin Rrok Gega, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas SPAK, Islamaj planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Edhe ndërtuesi ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë. Ura megjithatë, nuk është ndërtuar.
Zyra Islamaj u komandua në krye të Bashkisë së Tropojës në shtator të vitit 2024, pas arrestimit të kryebashkiakut Rexhë Byberi./ZËRI

